Asociacioni, Lajçak sot shkon në Beograd për takim me presidentin Vuçiç!

vovalbania November 14, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Asociacioni, Lajçak sot shkon në Beograd për takim me presidentin Vuçiç!

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, sot do të takohet  me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Lajmin e njoftoi Presidenca serbe, një ditë më parë.

Siç thuhet në njoftimin zyrtar, takimi do të mbahet në orën 11:00, në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit të Republikës në Beograd.

Më 7 nëntor, Lajçak vizitoi Kosovën, ku u takua me zëvendëskryeministrin e parë të vendit, Besnik Bislimi, si dhe me liderët e partive opozitare, për të biseduar për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Propozimi i ri evropian dhe modern për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë iu dorëzua autoriteteve të Kosovës nga pesë emisarët perëndimorë gjatë vizitës së tyre në Prishtinë, më 21 tetor. Delegacioni përbëhej nga përfaqësues të Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe Gjermanisë, Francës e Italisë.

Më 26 tetor, në Bruksel u mbajt një takim i veçantë mes kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentit francez, Emmanuel Macron e kryeministres italiane, Giorgia Meloni me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më pas me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç.

I pranishëm në takim ishte edhe shefi i diplomacisë së Unionit, Josep Borrell. Takimet nuk dhanë rezultate pasi Kurti kërkoi nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, për të cilën dy liderët ranë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa lidhur me aneksin e akordit, u dakordësuan më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kurti pranoi se plani i të dërguarve perëndimorë do të ishte korniza e re e negociatave. Por, presidenti serb Vuçiç e hodhi poshtë këtë. Në atë takim, u pretendua se pala kosovare pranoi një propozim të ri për statutin e Komunitetit.

Një ditë pas këtij takimi, liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë kërkuan që Kosova të formojë Asociacionin, ndërsa Serbia ta njohë Kosovën de facto.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51028 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE