Financimet nga buxheti, rritja më e madhe për 2024-ë për Vorën dhe Tiranën!

vovalbania November 14, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Financimet nga buxheti, rritja më e madhe për 2024-ë për Vorën dhe Tiranën!

Qeveria ka rritur financimet nga transferta e pakushtëzuar ndaj bashkive në vitin 2024, por për disa bashki ku niveli i jetesës është mbi mesataren kombëtare ka më shumë rritje të financimeve se për bashkitë e varfra të vendit si Puka, Kukësi, Bulqiza, Shkodra etj.

Të dhënat zyrtare që shoqërojnë projektbuxhetin e vitit 2024 tregojnë se transferta e pakushtëzuar ndaj bashkive do të jetë mbi 35 miliardë lekë vitin që vjen, me një rritje rreth 16% në krahasim me buxhetin fillestar 2023.

Të dhënat krahasimore tregojnë se rritjen më të madhe të fondeve e ka Bashkia e Vorës, që nga Buxheti i Shtetit do të ketë transferime 20% më shumë se në vitin aktual.

Më pas vjen Bashkia e Tiranës, që do të financohet nga Buxheti i Shtetit nga taksat e përgjithshme me 5.1 miliardë lekë, me rritje vjetore 19.5%.

Bashkia e Tiranës ka të ardhura dhe shpenzime për frymë mbi mesataren kombëtare e është bashkia me kapacitetet më të larta të buxhetimit me të ardhurat e veta.

Më tej, rritje mbi mesataren e përgjithshme me fonde e kanë bashkitë e Këlcyrës, Delvinës, Pustecit, Patosit, Peqinit, Dropullit, Roskovecit ku rritja vjetore është mbi 17%.

Nga ana tjetër, bashkitë e Kolonjës, Gjirokastrës, Bulqizës, Durrësit, Sarandës, Kukësit, Skraparit, Pukës etj kanë rritje të fondeve me 14.5%.

Ndarja e transfertës së pakushtëzuar të qeverisë ndaj bashkive tregon se ka rritje më të madhe ndaj bashkive me shpenzime më të larta për frymë.

P.sh, bashkitë e Kukësit dhe Dibrës u renditen me shpenzimet mujore më të ulëta të familjeve në shkallë vendi në anketën e INSTAT-it për vitin 2022.

Përgjatë dekadës së fundit, teksa ekonomia e vendit është rritur, ekonomia e Kukësit ka pësuar rënie. Logjikisht, qarku më i varfër në vend që është përfshirë vitet e fundit nga një valë e madhe emigracioni drejt Britanisë së Madhe duhet të kishte një mbështetje më të madhe të vendit.

Gjatë vitit 2024, pushteti vendor do të përfitojë në total rreth 36.5 miliardë lekë në formën e transfertave, nga të cilat rreth 24.3 miliardë lekë ose 66% është transfertë e pakushtëzuar e përgjithshme dhe 10.7 miliardë lekë ose 29% është në formën e transfertës së pakushtëzuar sektoriale për financimin e funksioneve të transferuara në nivel vendor dhe 1.5 miliardë lekë ose 5% në formën e transfertës sektoriale për rritjen e pagave.

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë ose 3% e PBB-së. Buxheti vendor për vitin 2024 krahasuar me buxhetin vendor 2023, parashikohet me një rritje me rreth 6.7 miliard lekë.

Në këtë zë është përllogaritur transferta e pakushtëzuar e përgjithshme për njësitë e vetëqeverisjes vendore, financimi i funksioneve të reja, financimi i shtesës për të mbuluar një pjesë të efektit financiar të rritjes së pagave, si dhe të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48935 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE