Dhoma e Përfaqësuesve miraton një buxhet afatshkurtër për të shmangur mbylljen e pjesshme të qeverisë!

vovalbania November 15, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Dhoma e Përfaqësuesve miraton një buxhet afatshkurtër për të shmangur mbylljen e pjesshme të qeverisë!

Me 336 vota pro dhe 95 kundër, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një plan për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë të shtunën, duke shtyrë debatin mbi çështjet e debatueshme buxhetore deri në fillim të vitit 2024.

Buxheti aktual për të gjitha agjencitë qeveritare skadon mesnatën e së premtes, duke detyruar Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë të arrijnë marrëveshje për një buxhet afatshkurtër, për të mbajtur qeverinë të hapur.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një propozim nga kryetari i ri, Mike Johnson e që zgjat shpenzimet në nivelin aktual për disa agjenci qeveritare deri në mes të janarit dhe për disa të tjera, deri në fillim të shkurtit.

Për miratimin e planit të tij, Johnson mori më shumë vota nga demokratët se nga republikanët. Plani u mbështet nga 209 ligjvënës demokratë dhe 127 republikanë. Kundër ishin 93 republikanë e dy demokratë.

Edhe Senati pritet të miratojë buxhetin afatshkurtër e t’ia dërgojë presidentit Joe Biden për firmosje.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson u kritikua nga një fraksion i krahut të djathtë të kolegëve republikanë, pasi plani i tij buxhetor nuk përfshin shkurtimet e shpenzimeve ose ndryshimet e politikave që ata kërkojnë. Disa nga ligjvënësit konservatorë e bënë të qartë se do të votonin kundër planit të Johnson-it, duke e detyruar të kërkonte votat e demokratëve të opozitës për të siguruar miratimin e tij.

Në fund të shtatorit, një skenar i ngjashëm që zemëroi krahun ekstrem të republikanëve, çoi në miratimin e një buxheti afatshkurtër nga republikanët me ndihmën e demokratëve. Miratimi i këtij buxheti afatshkurtër, që skadon të premten, nxiti tetë republikanë të krahut të djathtë të ndërmerrnin një iniciativë për shkarkimin e kreut të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy dhe që u mbështet njëzëri nga demokratët, duke e bërë McCarthy-n, të parin kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve, që shkarkohet nga ky post.

Nuk ka shenja se Johnson do të përballet me një fat të ngjashëm, pasi ai është konservator i krahut ekstrem dhe kolegët e tij me pikëpamje të ngjashme duket se për momentin, po i japin liri për të arritur një marrëveshje, për ta mbajtur qeverinë të hapur.

Kongresi pritet të shqyrtojë kërkesat e presidentit Biden për më shumë fonde për Ukrainën dhe Izraelin në javët e ardhshme. Fondet për këto dy vende nuk u përfshinë në propozimin e Johnson-it, të miratuar mbrëmë nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49589 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE