Do të shtrenjtohen kreditë/Lëvizja e Bankës së Shqipërisë rrit yield-in e bonove 12-mujore në nivelin më të lartë prej majit!

vovalbania November 15, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Do të shtrenjtohen kreditë/Lëvizja e Bankës së Shqipërisë rrit yield-in e bonove 12-mujore në nivelin më të lartë prej majit!

Rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në fillim të këtij muaji është përcjellë edhe në rritjen e yield-it të bonove të thesarit 12-mujore.

Në ankandin e zhvilluar dje, yield-i mesatar i ponderuar i këtyre instrumenteve u rrit në 3.31%, nga 3.1% që ishte në ankandin e fundit, në fund të tetorit. Yield-et e bonove 12-mujore janë rritur në nivelin më të lartë që nga muaji maj i këtij viti.

Kërkesa e tregut në ankandin e fundit rezultoi ndjeshëm më e ulët krahasuar me ankandet e mëparshme. Nga 9 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), në ankand u paraqitën kërkesa për afërsisht 8.3 miliardë lekë. Përfundimisht, MFE pranoi kërkesa në vlerën e rreth 8 miliardë lekëve.

Nëse kërkesat do të pranoheshin të gjitha, yield-i mesatar i emetimit do të rezultonte pak më i lartë, në nivelin 3.34%. Një yield i tillë do të sillte përcjelljen pothuajse të plotë të rritjes së normës bazë te yield-i i bonove 12-mujore.

Më 1 nëntor, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë rriti normën bazë të interesit nga 3% në 3.25%. Kjo ishte rritja e parë e aplikuar nga Banka Qendrore prej muajit mars të këtij viti.

Frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë për pjesën më të madhe të vitit 2023 bëri që yield-et e bonove 12-mujore të pësonin një rënie të vazhdueshme deri në fund të tremujorit të dytë 2023, ndërsa gjatë tremujorit të tretë, ecuria e tyre kishte qenë e qëndrueshme, shumë afër nivelit të normës bazë të interesit.

Gjithsesi, edhe me rritjen e ankandit të kësaj jave, diferenca mes normës bazë të interesit dhe yield-it të bonove 12-mujore, mbetet në nivelet më të ulëta historike.

Deklarata në fillim të këtij muaji e Këshillit Mbikëqyrës ka krijuar pritshmërinë se tashmë normat e interesit mund të jenë drejt një cikli të rritjes, për t’u afruar më pranë nivelit të tyre neutral, vlerësuar në intervalin 4.25%-4.5%. Vendimi erdhi si rezultat i presioneve ende të larta inflacioniste dhe pritshmërive për një rritje të impulsit fiskal në ekonomi gjatë muajve të fundit të vitit 2023.

Në muajin tetor, inflacioni zbriti në 3.8%, niveli më i ulët në një vit e gjysmë, por, sipas Bankës së Shqipërisë, rreziqet mbeten të larta, të lidhura sa me mjedisin e jashtëm ekonomik, aq edhe me presionet e larta që tregu i punës po ushtron mbi pagat e kostot e prodhimit.

Nëse ky cikël i rritjeve të normës bazë do të vazhdojë në muajt e ardhshëm, pritet që periudha e ndërmjetme me kushte relativisht të relaksuara monetare të marrë fund së shpejti. Kjo do të përkthehet në kosto më të larta financimi për qeverinë dhe sektorin privat, por nga ana tjetër në norma më të larta interesi për kursimet e shqiptarëve.

Bonot 12-mujore janë një hallkë veçanërisht e rëndësishme e zinxhirit të transmetimit të politikës monetare, sepse ato përdoren si tregues benchmark për kreditë me norma të ndryshueshme interesi në lekë.

Një rritje e yield-it të bonove, automatikisht përcillet edhe në normat e interesit të kredive, duke sjellë këste më të shtrenjta për huamarrësit. Rritja e çmimit pritet të sjellë ngadalësim të mëtejshëm të kredisë dhe frenim të kërkesës së brendshme në ekonomi./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49207 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE