Ushtria izraelite bastis spitalin kryesor të Gazës!

vovalbania November 15, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Ushtria izraelite bastis spitalin kryesor të Gazës!

Forcat izraelite bastisën spitalin më të madh të Gazës në orët e para të mëngjesit, ndërsa qindra pacientë, përfshirë foshnja të sapolindura, kanë mbetur me pak furnizime, përfshirë mungesën e energjisë elektrike.

Spitali Shifa është kthyer në simbolin e vuajtjeve të civilëve palestinezë gjatë luftës mes Izraelit e Hamasit, grupit palestinez të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Lufta u nxit pas sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, duke vrarë rreth 1.400 njerëz. Mbi 240 të tjerë u morën peng. Spitali është në fokus të akuzave se kush duhet fajësuar për mijëra vdekje dhe shkatërrimin e konsiderueshëm në Gazën e rrethuar, me 2.3 milion palestinezë.

Izraeli akuzon Hamasin se ka përdorur palestinezët si mburoja njerëzore, ndërsa palestinezët dhe grupet për të drejtat e njeriut thonë se Izraeli ka rrezikuar civilët, teksa tenton të shkatërrojë Hamasin.

Mohammed Zaqout, drejtor i spitaleve në Gaza deklaroi se tanket izraelite hynë në zonën e spitalit Shifa dhe se ushtarët janë brenda ndërtesës, te urgjenca dhe sallat e operacioneve, ku gjenden dhomat e kujdesit intensiv.

Forcat pushtuese kanë hyrë në objekt. Pacientët, përfshirë fëmijët, janë të tmerruar. Ata po bërtasin. Eshtë situatë tmerruese. Nuk mund të bëjmë asgjë për pacientët, përveçse të lutemi.

Ushtria izraelite po kryen “operacione të shënjestruara kundër Hamasit në disa zona të specifikuara në spitalin Shifa”.

Kemi paralajmëruar autoritetet në Gaza, që të gjitha aktivitetet ushtarake brenda spitalit duhet të ndalen. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur.

Izraeli pretendon se Hamasi ka një qendër masive komanduese brenda dhe rreth spitalit Shifa, por nuk ofron prova për këtë.

Disa orë para kontrolleve, Shtetet e Bashkuara thanë se Inteligjenca sugjeron se Hamasi i ka përdorur Shifan e spitalet e tjera, si dhe tunelet poshtë tyre, për të mbështetur operacionet ushtarake e për të mbajtur pengjet.

Ushtria deklaroi se forcat e saj në Shifa, kanë ekipe mjekësore e po kërkojnë për pengje, në kuadër të operacionit.

Pjesa më e madhe e qindra mijëra njerëzve që jetojnë në qytetin e Gazas e në zonat përreth, ikën prej pjesës veriore të enklavës, pas disa javësh bombardimesh izraelite.

Shumë pak ndihmë ka depërtuar në zonat veriore, të cilat kanë mbetur pa energji dhe ujë të pijshëm prej disa javësh.

Më shumë se 11.200 njerëz, dy të tretat gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza sipas autoriteteve shëndetësore palestineze dhe dy të tretat e 2.3 milion banorëve kanë ikur prej shtëpive të tyre.

Rreth 2.700 janë raportuar të zhdukur.

Pothuajse e gjithë popullsia e Gazës është tkurrur në jug, ku kushtet e jetesës janë duke u përkeqësuar çdo ditë e më shumë, me vazhdimin e bombardimeve.

Izraeli ka deklaruar se në kuadër të sulmeve në Gaza ka vrarë disa luftëtarë, përfshirë komandantë të rëndësishëm të Hamasit. Në ofensivën në Gaza janë vrarë 46 ushtarë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50889 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE