Çmimet e Panairit të Librit/ Me “Parisi vret”, Mira Meksi shpallet shkrimtarja më e mirë e vitit!

vovalbania November 19, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Çmimet e Panairit të Librit/ Me “Parisi vret”, Mira Meksi shpallet shkrimtarja më e mirë e vitit!

Në Pallatin e Kongreseve u ndanë çmimet për Panairin e Librit 2023, për veprat më të mira letrare. Në edicionin e 26-të, çmimi “Shkrimtari më i mirë i vitit 2023” iu dha Mira Meksit, për romanin “Parisi vret”.

Motivacioni i çmimit ishte: Për gërshetimin e erudicionit me hedonizmin, për zhytjen në zgafellet e historisë dhe të psikologjisë; për shkrirjen e fakteve me trillimin; për një këndvështrim tjetër mbi disa tabu me rrënjët në kohën e diktaturës, të cilat ende na shoqërojnë; për lëvrimin elegant të gjuhës.

Çmimi “Përkthyesi më i mirë i vitit 2023” i shkoi Ana Koves, për romanin “Daullja prej llamarine”, nga Gunter Grass. Motivacioni:

Për ballafaqimin e denjë me librin kompleks të një autori sfidues; për përcjelljen në shqip të fantazisë së tij të guximshme, të tisit satirik dhe simbolikës. Për pasurimin në mënyrë cilësore të bibliotekës së shqipes me një gur miliar të letërsisë botërore.

Për veprën me titull “Frashëri i shquar, i panjohur”, Thomas Frashëri u vlerësua me çmimin “Për veprën më të mirë studimore për vitin 2023”.

Për një vizatim të plotë e sidomos të plotësuar me fakte të panjohura të një peme shqiptare me rrënjë të forta, trung solid dhe kurorë të dendur siç janë Frashërllinjtë. Për gërshetimin e akribisë shkencore me rrëfimin tërheqës, duke krijuar një portretizim harmonik brenda mozaikut të gjerë të kontekstit historik dhe gjeografik.

“Për librin më të mirë për fëmijë të vitit 2023” u nderua Rudina Çupi, autorja e “Gjyshes me zemrën prej ketri”.

Rudina Çupi- Për njohjen e botës fëmijërore, për praninë e elementit bashkëkohor, për gërshetimin e letërsisë me didaktikën.

Çmimi i Ambasadës së Francës në Tiranë “Për përkthimin më të mirë nga gjuha frënge” iu akordua Diana Çulit për përkthimin e veprës “Të pandarat” të Simone de Beauvoir.

Përmes zgjedhjeve përkthimore, fuqisë së fjalës dhe sintaksës së rrjedhshme, respekton stilin autentik të Simone de Beauvoir duke sjellë një atmosferë njëherësh intime e emocionuese.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48737 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE