Aksioni i fundit në veri të Kosovës, 9 në pranga!

vovalbania November 19, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Aksioni i fundit në veri të Kosovës, 9 në pranga!

Aksioni i një dite në parë në veri të Kosovës, jepen rezultatet. Autoritetet atje njoftuan se janë nëntë të arrestuar, mes tyre tetë zyrtarë të Doganës dhe një pjesëtar i Policisë Kufitare. Që të gjithë dyshohen për shpërdorim detyre e korrupsion, duke pranuar ryshfet. Në një deklaratë të përbashkët, Prokuroria Speciale, Dogana dhe Inspektorati Policor i Kosovës njoftuan se u kryen kontrolle në 11 vende.

Prokuroria Speciale njofton se kontrolli është bërë me qëllim të mbledhjes së provave dhe ndalimit të nëntë zyrtarëve të dyshuar për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Marrja e ryshfetit’.

Sipas Prokurorisë Speciale, operacioni u zhvillua pas një hetim të gjatë. Për të mbështetur procedurën hetimore u sekuestruan prova materiale nga Dogana, dhjetë telefona e katër karta sim. Po ashtu, një pistoletë me leje me tre karikatorë e nëntë fishekë, si edhe municione.

Më herët, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Luftiu, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se aksioni u zhvillua mëngjesin e së shtunës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Po ashtu, nga Policia e Kosovës thanë se kanë asistuar gjatë kontrolleve.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet kryejnë aksion në Doganat e Kosovës për të luftuar veprat penale që lidhen me marrje ryshfeti dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.

Në mars të vitit të kaluar u arrestuan dhjetëra policë dhe doganierë, po të dyshuar për marrje ryshfeti e shpërdorim detyre. Në atë kohë, aksioni u krye në Gjakovë e në Prizren, ndërsa zyrtarët e arrestuar u dyshuan për pjesëmarrje në qindra aktivitete të marrjes së ryshfetit në pikat kufitare të Qafë Prushit dhe Qafë Morinës, që lidhin Kosovën me Shqipërinë.

Siç dihet, në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, vitet e fundit, autoritetet kanë mbyllur disa rrugë ilegale që janë përdorur për të kaluar mallra kontrabandë nga Serbia.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48745 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE