Moti i keq godet Bullgarinë, shënohen dy viktima!

vovalbania November 19, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Moti i keq godet Bullgarinë, shënohen dy viktima!

Në rajonin Varna në Detin e Zi, Bullgaria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme nga moti i keq, me shira e dëborë që gjithashtu ka përfshirë Rumaninë fqinje, në pjesën lindore. Paraprakisht, në territorin bullgar raportohen dy viktima e tre të lënduar, si dhe ka ndërprerje të energjisë elektrike e bllokim rrugësh nga përmbytjet masive. Policia bullgare njoftoi:

Një grua 43-vjeçare gjeti vdekjen nga një pemë e rrëzuar në Varna, mbrëmjen e djeshme. Dy pjesëtarë të ekipeve të emergjencave u lënduan. Një tjetër pemë ra mbi një makinë që dje po lëvizte në kryeqytetin bullgar Sofje. Humbi jetën drejtuesi i automjetit 65 vjeç, si dhe mbeti e plagosur rëndë bashkëshortja e tij.

Duke njoftuar për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe ndërsa iu bëri thirrje banorëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, kryetari i Bashkisë së Varnës, Blagomir Kotsev, deklaroi:

Moti i keq rezultoi me humbje jetësh. Erërat e fuqishme, shirat e rrëmbyeshëm, si dhe dëbora në disa vende, e bënë shumë të vështirë punën e ekipeve të emergjencave. Furnizimet me energji janë ndërprerë në pesë qarqe. Rrugët janë bllokuar për shkak të pemëve të rrëzuara.

Aeroporti në Varna vazhdon i hapur, por disa fluturime janë shtyrë apo anuluar. Edhe dy komuna më të vogla në afërsi të Varnës, sot shpallën gjendjen e jashtëzakonshme. Në Bullgari, Shërbimi Kombëtar i Motit aktivizoi kodin portokalli për shkak të rrezikut nga erërat e fuqishme në mbarë lindjen e vendit.

Erërat mund të arrijnë deri në 125 kilometra në orë dhe priten dallgë mbi 5 metra përgjatë bregdetit në Detin e Zi.

Dy persona vdiqën më herët gjatë muajit në Bullgari, për shkak të motit të keq, pasi stuhia Ciaran goditi Europën.

E njëjta stuhi goditi edhe Rumaninë fqinje, duke detyruar shtetin të mbyllë portet në Detin e Zi. Alarmi u ngrit në nivelin më të lartë për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe erërave të fuqishme. Autoritetet iu kanë bërë thirrje banorëve, të qëndrojnë në shtëpi.

Mijëra banesa kanë mbetur pa energji elektrike. Zjarrfikësit ndërhynë për të larguar 140 pemë që u rrëzuan. Nga moti i keq u dëmtuan edhe 40 makina.

Fatmirësisht nuk ka viktima.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se bota do të përballet me mot më ekstrem për shkak të ngrohjes globale të shkaktuar nga çlirimi i gazrave serrë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50106 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE