Luftime të ashpra përreth një spitali tjetër në Gaza!

vovalbania November 20, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Luftime të ashpra përreth një spitali tjetër në Gaza!

Luftime të ashpra kanë shpërthyer përreth një spitali në veri të Gazës, ku prej disa javësh strehohen mijëra pacientë e njerëz të zhvendosur. Forcat izraelite janë përqëndruar në spastrimin e objekteve mjekësore, për të cilat thonë se po përdoren si mburojë nga luftëtarët e Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Përparimi i ushtrisë së Izraelit në Spitalin Indonezian ndodhi vetëm një ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH evakuoi 31 foshnje nga spitali al-Shifa, më i madhi në Gaza. Ato ishin në mesin e 250 pacientëve të sëmurë e të lënduar rëndë, të bllokuar atje pak ditë pasi forcat izraelite hynë në oborrin spitalor.

Gjendja e vështirë e spitaleve të Gazës është në qendër të një beteje lidhur me ndikimin brutal të luftës ndaj civilëve palestinezë. Me qindra të vrarë janë varrosur nën rrënoja që kur nisi lufta më 7 tetor.

Izraeli thotë se Hamasi i përdor civilët si mburoja njerëzore, ndërsa kritikët shprehen se rrethimi dhe bombardimet e pareshtura izraelite të Gazës përbëjnë ndëshkim kolektiv për territorin e 2.3 milion palestinezëve.

Marwan Abdallah, punonjës shëndetësor në Spitalin Indonezian, deklaroi se tanket izraelite mund të shihen nga dritaret e spitalit.

Mund t’i shohësh ata duke lëvizur përreth dhe duke shtënë. Gratë dhe fëmijët janë të tmerruar. Ka zhurma të vazhdueshme të shpërthimeve dhe armëve të zjarrit.

Abdallah shtoi se dhjetëra njerëz u vranë dhe u plagosën, si pasojë e sulmeve ajrore e granatave të hedhura gjatë natës. Ai nuk e fshehu frikën nga mundësia që Izraeli të rrethojë spitalin e t’i detyrojë të gjithë të evakuohen.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashra fal-Qidra, i cili ndodhet në jug të Gazës hodhi akuza se forcat izraelite sulmuan spitalin, duke vrarë 12 vetë. Kjo deklaratë nuk po u verifikua në mënyrë të pavarur.

600 pacientë, 200 punonjës shëndetësorë dhe 2.000 të zhvendosur janë duke u strehuar në këtë spital.

Ushtria e Izraelit, e cila rrallëherë publikon lëvizjet e trupave të saj, ende nuk ka komentuar.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49186 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE