Për herë të parë që nga kriza, çmimet në vend rriten më shumë se në BE!

vovalbania November 21, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Për herë të parë që nga kriza, çmimet në vend rriten më shumë se në BE!

Në Europë, inflacioni ka nisur të stabilizohet pas rritjes historike që shkaktoi lufta ruse në Ukrainë, por në Shqipëri po ndodh e kundërta, pasi çmimet po rriten në mënyrë të qëndrueshme, duke reflektuar problemet strukturore të ekonomisë vendase, sidomos sektorit të prodhimit.

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, një metodologji e Eurostat-it tregoi se inflacioni në Shqipëri gjatë muajit tetor ishte 4.7%, shumë më i lartë se inflacioni mesatar në BE që për të njëjtin muaj ishte 3.6%.

Gjithashtu treguesi rezultoi shumë i lartë se matjet kombëtare nga IHÇK-ja që në tetor ishte 3.8%. Në tetorin e vitit të kaluar, IHÇK në Shqipëri ishte 8%, ndërsa në BE, 11.5%.

Por, teksa inflacioni në Europë ku ulur ritmet për shkak të stabilizimit të çmimeve të energjisë që ishin shkaktari kryesor, Shqipëria që vjet renditej në mesin e shteteve me rritjen më të ulët të çmimeve, tani po shkon në krahun tjetër me inflacion të lartë.

Në janar të vitit 2023, IHÇK në BE ishte gati 3 pikë përqindje më i lartë se në Shqipëri, përkatësisht 10 dhe 7.1%.

Kjo diferencë ishte e dukshme deri në muajin qershor kur nisi të ngushtohej, teksa çmimet në BE ulën ritmet e rritjes, ndërsa në Shqipëri po bëheshin të qëndrueshme. Në shtator, IHÇK u barazua me BE-në dhe në tetor, çmimet në Shqipëri u rriten 1.1 pikë përqind më shumë se në BE.

Inflacioni në vendin tonë po krijohet nga faktorët e brendshëm dhe sidomos nga oferta e cunguar e prodhimeve bujqësore, e cila po e bën më të shtrenjtë shportën e ushqimeve, formuesi kryesor i inflacionit në vendin tonë.

Bujqësia, sektori më i madh në ekonomi në tremujorin e dytë të vitit, ra për pestin tremujor radhazi, teksa numri i konsumatorëve u rrit për shkak të turistëve duke ushtruar presion mbi çmimet.

Sipas metodës së Eurostat-it, në muajin tetor shihet se më shumë, në rritjen e çmimeve ndikuan ushqimet, qiraja, baret dhe restorantet.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 8,5% vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7,7%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,8%, “Shërbimi arsimor” me 5,0%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 4,8%, “Veshje dhe këpucë” me 3,4%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2% secili, “Shëndeti” me 1,5%, “Komunikimi” me 1,0% dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,5%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 4,5%.

Në muajin Tetor, ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,1%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,4%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3%, “Transporti” me 0,2% dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1%.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,5%, pasuar nga “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,2%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,1% secili./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 58473 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE