“Nuk ka justifikim”, sot Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave!

vovalbania November 25, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
“Nuk ka justifikim”, sot Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave!

Në kalendarin e ditëve ndërkombëtare të shpallura nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, sot shënohet ajo për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Siç dihet nga shqetësimet e ngritura në mënyrë të përsëritur, dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet një nga shkeljet më të përhapura sa i përket të drejtave të njeriut në botë.

Në nivel global, vlerësohet se rreth 736 milion gra ose pothuajse një në tre, i janë nënshtruar dhunës fizike dhe/ose seksuale, të paktën një herë në jetën e tyre.

Kjo plagë është intensifikuar në mjedise të ndryshme, duke përfshirë vendin e punës apo hapësirat në internet, si dhe është përkeqësuar nga efektet post-pandemike, konfliktet e madje ndryshimet klimatike. Kombet e Bashkuara japin alarmin për faktin se përpjekjet e kombeve për të luftuar dhunën ndaj grave e vajzave mbeten jashtëzakonisht të pakta.

Për shembull, vetëm 5% e ndihmës qeveritare është e përqendruar në trajtimin e dhunës ndaj grave e vajzave dhe më pak se 0.2% drejtohet për parandalimin e saj.

Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave përkon me nisjen e fushatës UNiTE, pra nga sot e deri më 10 dhjetor, një nismë 16 ditore aktivizmi që përfundon në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Slogani i kësaj fushate është: “Nuk ka justifikim”.

Në Shqipëri, fenomeni i dhunës ndaj grave dhe vajzave vazhdon të jetë sfidë për autoritetet e shoqërinë. Për këtë fenomen në familje, në 6 vitet e fundit, denoncimet janë rritur, çka sipas autoriteteve tregon se ka qenë i fshehur. Në dy vitet e pandemisë COVID-19, u përkeqësua, gjë që çoi në rritjen e numrit të vrasjeve të grave e vajzave. Zyrtarët nënvizojnë se ka disa përmirësime ligjore me qëllim zbutjen e këtij fenomeni ndërsa përfaqësues të shoqërisë civile shprehen se ende mbetet shumë për të bërë.

Më herët këtë vit, u përmbyll një studim shumëvjeçar i Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare, duke nisur nga vrasjet e grave dhe vajzave, fati i proceseve gjyqësore në mbrojtje të tyre, dënimi apo jo i agresorëve dhe sjelljet e institucioneve të ndryshme administrative e gjyqësore ndaj kësaj dukurie.

Nga vendimet gjyqësore të shqyrtuara ndër vite janë evidentuar raste kur viktimat janë vrarë pasi kanë patur një urdhër mbrojtjeje.  Rreth 75% e vendimeve gjyqësore të shqyrtuara tregojnë se dhuna ka ardhur për shkaqe familjare. Në studim renditen një seri shkaqesh të tjera. Eshtë rekomanduar veçimi i çifteve me akte dhune fizike, por kjo është një masë tejet e pamjaftueshme, nëse sistemi i drejtësisë nuk do të ketë gjerësisht një qasje dashamirëse ndaj viktimave të dhunës e t’i trajtojë çështjet në kompleksitetin e tyre.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50536 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE