Podcast me futbollistë të Kombëtares, Rama: Shënojeni emrin me gërma të arta në historinë e futbollit shqiptar!

vovalbania November 25, 2023 0 koment 10 Mund të lexoni në minuta.
Podcast me futbollistë të Kombëtares, Rama: Shënojeni emrin me gërma të arta në historinë e futbollit shqiptar!

Në episodin e 11-të të Sezonit 2 të Podcast-it “Flasim’’, kryeministri Edi Rama kishte të ftuar futbollistët e Kombëtares Myrto Uzuni, Elseid Hysaj, Mario Nitaj, Berat Gjimshiti, Frederik Veseli dhe Elhan Kastrati.

Normalisht duhet të kisha këtu 11, po një pjesë fluturuan, një pjesë janë përpara fluturimit dhe i falënderoj shumë që erdhën për një bisedë lidhur me një arritje historike: kombëtarja kuq e zi në Europianin e 2024-ës. Jam  këtu me dy nga katër kapitenët dhe me katër të tjerë pak më veteranë, pak më të rinj të këtij ekipi kombëtar që jo vetëm arriti një rezultat fantastik, duke e çuar Shqipërinë për të dytën herë në Europian e sa për dijeni, unë 10 vjet këtu, dy herë në Europian ju, por përveç kësaj, ka ofruar një lojë që për hir të së vërtetës e pranojnë të gjithë, është diçka e re për kombëtaren shqiptare.

Me lejen e dy kapitenëve, fjalën i pari e merr Myrto Uzuni, i cili është një kapiten pa fashë dhe pa titull, por që realisht prej disa vitesh tanimë, e ka fituar statusin e monumentit të ekipit kombëtar.

I pyetur nga Rama si nuk bëri një gol me Faroen, Uzuni tha:

I kam lënë golat për në Europian. Ishte pak vështirë pasi një ekip si Ishujt Faroe mbroheshin me forca të shumta në fazën difensive dhe ishte e vështirë që të çaheshin pasi me ekipet më të mira në letër luajnë më futboll të hapur, kurse ekipet që janë më të dobëta në letër, luajnë një lojë të mbyllur dhe është shumë e vështirë te depërtosh në atë zonë, normal.

Rama: Ok, tani nuk ka rëndësi. Ndeshja ka kaluar. Vendi i parë në tabelë është vulosur. Shqipëria e para në një grup eliminator, diçka që ju e kishit imagjinuar apo?

Futbollisti Elseid Hysaj:

Kemi thyer rekorde këtë herë. S’e kemi pritur as ne që do arrinim në një grup si ky, në vend të parë me kualifikimin. Këtu mungojnë dhe disa vetë, por kemi treguar që kemi më shumë forcë, për të bërë dhe më shumë. Kështu që duhet të jemi të kënaqur e të vetëdijshëm se mund të arrijmë edhe më shumë se kaq.

Më pas, biseda fokusohet te karriera e Berat Gjimshitit, i cili tregon:

Prej 2014-ës luaj me Kombëtaren. Kam luajtur te Zyrihu e shkova në Atalanta në Itali, kështu që ishte e vështirë për të mësuar dhe gjuhën, edhe taktikën e futbollit italian e nuk kisha ndeshje, nuk luajta fare, luajta vetëm në tre ndeshje në 6 muaj. Pastaj, erdha te kombëtarja e për grumbullimin para Europianit dhe vendosi trajneri De Biasi atëherë, që nuk isha në formë dhe nuk më merrte, kështu që e pranova. Puna vazhdon, ecën përpara dhe s’ka asgjë tjetër.

Rama: Po atje me Atalantën, pastaj e vulose personalitetin?

Gjimshiti: Po, sigurisht. Në fillim kisha vështirësi se isha në huazim një vit, dy vjet, pastaj u riktheva dhe sigurisht ekipi ecte shumë mirë me Champions League, Europa Leauge apo me gjëra të tjera në finalet e Kupës së Italisë, ecte shumë mirë dhe sigurisht, nëse ecën ekipi mirë,  ti do të bësh mirë e është dhe më e thjeshtë.

Kryeministri Rama: Ju keni pasur një lloj shansi te veçantë me dy trajnerë siç thonë, se unë nuk i di nga afër, por janë shumë skrupulozë me rritjen e lojtarëve”.

Hysaj: Të dy janë “të sëmurë” besoj për taktikë. Shumë të lodhshëm besoj, por bëra dhe unë 8 vjet që jam veç me një trajner e ndonjëherë më thonë dhe këta lojtarët e Lazios, si e duron 8 vjet? I them unë, po duhet të durojmë se u  bënë 2-3 vite, po u bënë 3 vite aty dhe s’e di sa vite do të bëjmë, po normal që i besoj. Problemi është që ty të kemi tifoz me skuadër tjetër.

Kryeministri Rama:

Mua më keni pak të vështirë në këtë periudhë, megjithatë për hir të së vërtetës ju ndjek dhe gëzohem shumë. Duke qenë se ndjek një çikë këto ndeshjet e kampionatit italian dhe gëzohem shumë që luani, që vlerësoheni. Dhe ato notat përgjithësisht i merrni të mira dhe aty te “La gazeta dello sport’’, kështu që ne jemi shumë të lumtur me këtë. Ndërkohë ka gjithmonë një numër gjithmonë e më të madh shqiptarësh të vegjël që po stërviten për ekipet e moshave në Europë, por në Itali sidomos, ishte një numër impresionues, rreth 15 mijë djem shqiptarë ose përgjithësisht të lindur tanimë nga prindër që kanë shkuar më përpara aty ose dhe që kanë ardhur më vonë, që janë të regjistruar në lëvizjen futbollistike italiane nëpër skuadra.

Futbollisti Hysaj:

Besoj që është edhe kjo, që janë duke luajtur shumë shqiptarë në Serinë A e në kampionate të tjera dhe njerëzit ose trajnerët, presidentët po besojnë tek ne se dikur me të vërtetë ka qenë shumë e vështirë të futej një shqiptar në Itali se ishte si puna e ekstra-komunitetit, pa letra. Po marrim një brazilian para shqiptarit, se gjithmonë na kanë mbajtur si shtet të vogël. Lojtarë nuk është se kemi nxjerrë shumë, kështu që gjithmonë kemi pasur të njëjtat probleme. Por, tani po dëgjohemi dhe unë po dëgjoj gjithmonë shqiptarë të rinj që dalin. Po ky nga doli? Por, gjithsesi po rriten me të vërtetë shumë edhe ajo është e bukura. Për këtë na ndihmojnë dhe të rinjtë në Europian, lojtarët e rinj që kanë ardhur.

Më tej, Rama tha:

Ka penguar kjo e ekstra-komunitarëve sepse ngushton hapësirën për qytetarët që janë jashtë BE-së e në fakt kemi bërë një bisedë edhe me qeverinë italianë që ta ndryshojë këtë. Federata, kuptohet, por me ndihmën e qeverisë, sepse janë dy a tre vende në Europë që i kanë futur shqiptarët në atë grupin e komunitarëve, kështu që mund të luajnë sa shqiptarë të duan ose që kur blejnë lojtarë shqiptarë, nuk iu ngushtohet hapësira e blerjeve për ekstra-komunitarët, kështu që shpresoj. Franca e ka këtë, Greqia e ka, nuk e di nëse mes Spanjës dhe Gjermanisë, nuk jam i sigurt, por rëndësi ka që kjo është e mundshme dhe shpresoj që ta hapim këtë e të kemi më shumë lojtarë shqiptarë që do jenë pastaj në ekipe.

Hysaj theksoi se “me të vërtetë që është problem se nuk lejohet të luajnë më shumë se tre lojtarë. Nuk lejohen ekstra-komunitare në fushë”.

Duke biseduar me Veselin, Rama e pyet se çfarë ndryshimesh sheh midis më përpara dhe tani me trajnerët e rinj me grupin e ri?

Veseli: Po, në fakt unë isha në Europian, por nuk bëra kualifikime. I ka bërë të gjitha Berati dhe ia mora vendin unë. Më seleksionoi mua trajneri. Dhe doja të thoja para Beratit kur çdo herë që vjen kjo bisedë duket sikur ka një elefant në dhomë për mua, por fakti është që futbolli ka tendenca dhe ndryshon shumë, them dhe për ata shqiptarë që kanë kuotë në Europë. Ndryshime ka pasur shumë se kemi pasur disa momente shumë të vështira. Mbaj mend kur kemi humbur dhe me Luksemburgun, për shembull, që nuk pranohej nga askush. Tani është moment shumë i bukur dhe mendoj që duhet ta shfrytëzojmë këtë moment, të ecim përpara, mos ta bëjmë një hap para e të kthehemi dy hapa mbrapa. Se kualifikimin e kemi marrë e normal duhet të shkojmë dhe në Gjermani ta tregojmë veten, t’i tregojmë dhe gjithë botës se me të vërtetë jemi të fortë si skuadër, si popull dhe si tifozeri shqiptare, unë e mbaj mend në Francë. Të gjithë shokët ma kanë lavdëruar tifon e shqiptarëve në Francë e besoj edhe në Gjermani kanë për t’u bërë shumë. Dhe puna jonë është të bëhemi si pasqyrë, tifon e shqiptarëve në fushë t’ia kthejmë me performanca të mira e pas Europianit të ecim përpara dhe të mos kthehemi mbrapa.

Rama theksoi:

Jam i bindur që do jetë më shumë se në Francë. Në Gjermani janë më shumë. Më shumë se janë edhe të Kosovës e të Shqipërisë dhe të Maqedonisë. Janë shumë dhe mezi po presin të bëjnë rezervimet e biletave sapo të dalin grupet. Do jetë shumë kuqezi prania në stadiume. Jam i bindur për këtë. Na iku portieri parë, na iku portieri dytë, morëm portierin e tretë. Si është të stërvitesh me këta të gjithë?

Elhan Kastrati u shpreh:

Prej dy vitesh jam pjesë e kombëtares e të kesh Berishën dhe Strakoshën, dy portierë me eksperiencë, ndihmon të rritesh. Për mua është një vitrinë shumë e rëndësishme se eksperienca që ka Berisha dhe Strakosha, kërkoj të marr nga ata dhe të rritem më shumë në futbollin që bëj këtu në Kombëtare.

Rama: Tani dua t’ju pyes diçka për këtë sepse kam përshtypjen që atmosfera brenda për brenda kombëtares është shumë e mirë, si atmosferë flas e grupit, por përtej atmosferës, se ju keni pasur disa trajnerë në kombëtare, çfarë ka ndryshuar në metodën e stërvitjes, të komunikimit, të mënyrës si kërkohet loja sepse realisht, është diçka shumë e këndshme ta shohësh kombëtaren.

Hysaj: Ka ndryshuar shumë sepse kam thënë gjithmonë, nëse një skuadër fiton, merr vetëbesim, merr siguri dhe kjo besoj ka qenë një ndër pikat më të forta që kemi patur në këtë kombëtare. Edhe ardhja e trajnerit të ri është me shumë pozitivitet, të jep siguri në vetvete, të bën të besosh që ti je lojtar i fortë e mund të bësh më shumë se herët e tjera.

Uzuni: Eshtë e vërtetë. Ka më shumë konkurrencë tani dhe nëse nuk është një në ditën e tij, mund ta zëvendësojë tjetri pa problem, plus dhe si i analizon trajneri ndeshjet, pikat e forta e të dobëta të kundërshtarit, por siç e tha edhe Hysaj, që kur fiton ndryshon atmosfera, je më i lumtur.

Veseli: Besoj është dhe një aspekt që nuk nënvlerësohet, domethënë, kemi qenë në stërvitore të re, çdo ditë kur shkojnë në stërvitje jemi të lumtur. Eshtë fusha e mirë dhe këto kushtet si lojtarë të bëjnë të japësh më shumë edhe si grup tani jemi në Tiranë, vijnë dhe familjarët të na shikojnë, rrinë të gjithë bashkë te bari, janë dhe disa tifozë që na kërkojnë foto, na kërkojnë disa firma dhe ky besoj është një aspekt që na shtyn edhe më shumë të jemi bashkë, i takojmë dhe familjarët e njëri-tjetrit e çdo ditë nxitojmë të shkojmë edhe tek fusha të bëjmë stërvitje, dikush rri edhe më shumë të bëjë terapi, dikush vjen më herët me furgon e këto gjëra të vogla e bëjnë diferencën sepse detajet besoj që gjithmonë janë shumë të rëndësishme për të bërë diferencën. Nga momenti që erdhëm këtu ndryshoi diçka dhe kjo besoj nuk nënvlerësohet.

Gjimshiti: Gjërat më të rëndësishme, djemtë i thanë. Kështu që besoj se bashkëngjitem me këto, por sigurisht që siç thanë, fitoret dhe gjithë këto gjërat e japin vetëbesimin më të madh, besoj fitoret janë gjëja më e rëndësishme, lumturia dhe besoj si grup, grupi bën diferencën. Të them këtë edicion sepse besoj tashmë 9 vite që jam këtu nuk kam parë një grup që rri kaq shumë bashkë, që ndjehen mirë me njëri-tjetrin. Më parë ka pasur grupe, kemi qenë grup, por nuk ka qenë kaq e afërt dhe besoj, e tha dhe Veseli, një aspekt shumë të mirë, kur vijnë familjarët e tjerë, për shembull vijnë prindërit e m’i, çunat vijnë kapërcejnë dhe takojnë familjarët e m’i dhe thonë: sa të sjellshëm qenkan këta djem!  Prandaj, besoj që është ajo gjë shumë e mirë dhe shumë e bukur që na çon përpara”.

Duke falënderuar futbollistët, kryeministri Rama tha:

Jeni shumë të mirë, jeni shembull, jeni frymëzim dhe faleminderit për gjithçka që arritët deri këtu! Tani e dini që oreksi vjen duke ngrënë. Ju e dini që është një fjalë që thotë, në sport nuk ka mirënjohje. Nuk ka si të ketë sepse nëse sporti do të bazohej te mirënjohja, atëherë do t’i mungonte ajo egërsia e mungesës së dëshirës për këdo që mund të jetë ylli i momentit sot, nesër nëse nuk do të jetë dot ylli i momentit nuk ekziston, kështu që sfida përpara është e madhe, por unë kam besim vetëm për një gjë: duke qenë se nuk keni nga ikni, aty ku është e shtrënguar situata ju jepni maksimumin dhe dilni më mirë. Aty ku pastaj thoni: hë se këto nuk i kemi problem, aty bëhen skandale. Kështu që në këtë sens, unë kam shumë besim që tensioni, plus grumbullimi më i gjatë dhe përpunimi, se këto ndeshje i keni 2-3 ditë maksimumi kurse atje do keni mundësi grumbullimi e motivimi që të na bëni një tjetër dhuratë fantastike e ta shënoni emrin me gërma të arta në historinë e futbollit shqiptar.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE