Koreja e Veriut shton kontrollin në kufirin me Korenë e Jugut!

vovalbania November 27, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Koreja e Veriut shton kontrollin në kufirin me Korenë e Jugut!

Koreja e Veriut ka dërguar trupa në kufirin e saj jugor për të rivendosur pikat e kontrolleve kufitare, që u hoqën sipas marrëveshjes së vitit 2018 me Korenë e Jugut. Këtë e njoftoi sot ushtria e Seulit, pasi Pheniani lëshoi një satelit spiunazhi që rriti tensionet në gadishull.

Në përgjigje të lëshimit të satelitit javën e kaluar, pjesërisht, Seuli zyrtar pezulloi marrëveshjen që synonte të ulte armiqësitë kufitare, duke nxitur Veriun komunist të heqë plotësisht dorë nga marrëveshja e të paralajmërojë se nuk do ta respektojë më paktin.

Një zyrtar i ushtrisë së Koresë së Jugut i tha agjencisë AFP se Pheniani ka dërguar personel të armatosur dhe pajisje për të rivendosur pikat kufitare. Agjencia e lajmeve, Yonhap raportoi:

Ushtarët e Koresë së Veriut janë parë duke rindërtuar pikat e rojeve kufitare që nga e premtja, duke vendosur 11 pikat e kontrolleve kufitare që u hoqën në bazë të marrëveshjes pesëvjeçare.

Seuli zyrtar është alarmuar nga zhvillimi i përshpejtuar i programit të armëve të Veriut. Koreja e Jugut ka dislokuar “asete vëzhguese” në kufi pas lëshimit të satelitit nga Veriu dhe ushtria jugkoreane ka thënë se këto ishin “masa thelbësore” për t’u mbrojtur nga kërcënimet në rritje që vijnë nga Pheniani.

Koreja e Veriut është kundërpërgjigjur duke thënë se do të dislokojë “më shumë forca të armatosura dhe pajisje të reja ushtarake në rajon, përgjatë Vijës ushtarake të Demarkimit” midis dy Koreve.

Kombet e Bashkuara kanë miratuar disa rezoluta për Korenë e Veriut, që këtij shteti ia ndalojnë të përdorë teknologjinë balistike. Javën e kaluar, Koreja e Veriut lëshoi satelitin Malligyong-1. Kjo ishte përpjekja e tretë e këtij shteti për të lëshuar satelit në hapësirë, pas dështimeve në muajt maj dhe gusht.

Lëshimi i satelitit u dënua nga komuniteti ndërkombëtar përfshirë nga Shtetet e Bashkuara e Koreja e Jugut që thanë se do të ketë “efekt destabilizues në rajon”.

Koreja e Veriut njoftoi se lëshimi i satelitit ishte “e drejtë legjitime dhe ushtrim i të drejtës për të mbrojtur veten”.

Lëshimi i suksesshëm i një sateliti të spiunazhit në orbitë do të rriste aftësitë e Koresë së Veriut për të mbledhur informacione të inteligjencës, veçanërisht për Korenë e Jugut, kanë thënë ekspertët.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48755 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE