Zbulohet një “dorë artificiale” 600-vjeçare!

vovalbania November 27, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Zbulohet një “dorë artificiale” 600-vjeçare!

Një grup arkeologësh gjermanë kanë zbuluar një skelet me një dorë proteze metalike që mund të jetë pothuajse 600 vjeçare. Falë datimit të karbonit, studiuesit vlerësuan se njeriu të cilit i përkiste proteza, vdiq midis viteve 1450 dhe 1620 dhe kur u varros ai ishte midis 30 dhe 50-vjeç. Proteza ishte prej hekuri dhe zëvendëson katër gishtat e munguar. Në raportin shkencor thuhet, se është e paqartë se si burri i humbi gishtat dhe si mund të ketë përdorur protezën.

Walter Irlinger, kreu i Departamentit të Konservimit në Zyrën Shtetërore të Bavarisë për Ruajtjen e Monumenteve, shpjegon:

Proteza në dorën e majtë zëvendësoi gishtin tregues, të mesit, të unazës dhe gishtin e vogël. Gishtat artificialë janë prej llamarine dhe të palëvizshëm. Gishtat protezë janë ndërtuar paksa të lakuar, paralel me njëri-tjetrin. Proteza ndoshta ishte e lidhur në trungun e dorës.

Brenda protezës u gjet një material i ngjashëm me garzë, të cilin mbajtësi mund ta ketë përdorur për të zbutur veprimin e gjymtyrës artificiale në trungun e dorës. Arkeologët e gjetën skeletin në një varr pranë një kishe në Freising, afër Mynihut në Gjermani, e cila ishte skena e betejave të shumta ushtarake, duke përfshirë Luftën Tridhjetëvjeçare nga 1618 në 1648, e cila çoi në një rritje të amputimeve dhe kërkesës për proteza.

Kjo lloj proteze duhet të ketë qenë mjaft e zakonshme në atë kohë pasi arkeologët kanë zbuluar më parë rreth 50 proteza të ngjashme në Evropën Qendrore që datojnë nga mesjeta e vonë, afërsisht 1300-1500, deri në periudhën e hershme moderne, rreth 1500-1800. Një nga më të avancuarat ishte mbajtur nga kalorësi gjerman i shekullit të 16-të, Götz von Berlichingen, i cili kishte humbur dorën e djathtë nga një goditje me top.

Për të u ndërtua një protezë “e lëvizshme” dhe “teknikisht jashtëzakonisht komplekse”. Sipas Bibliotekës Kombëtare të Mjekësisë, proteza më e vjetër është ajo e një gishti të vetëm, e cila është ndërtuar në Egjipt midis 2600 dhe 3400 vjet më parë. Ndërsa “këmba Capua”, një këmbë protetike e gjetur në Itali, daton rreth vitit 300 p.e.s.. Ajo u ndërtua prej bronzi dhe druri për një fisnik romak.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50165 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE