Politikanët shqiptarë urojnë 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë!

vovalbania November 28, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Politikanët shqiptarë urojnë 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë!

Krerët e institucioneve dhe politikanët shqiptarë urojnë 11-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Shqipëria është vendi i secilit prej nesh dhe i të gjithëve ne bashkë, shprehet presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Nga Vlora, ai uron shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe kudo në botë.

Dita e Flamurit, si simboli më përfaqësues e më përbashkues i kombit, është festa më e bukur e shqiptarisë. Sot jemi shtet i pavarur në sajë të mençurisë, guximit dhe vendosmërisë së patriotëve shqiptarë 111 vjet më parë në emër të dashurisë për atdheun dhe kombin, në emër të dashurisë për këtë flamur, në emër të lirisë. Liria sjell përgjegjësi. Le të na shërbejë modeli frymëzues i etërve themelues,të cilët dhanë gjithçka për Shqipërinë e lirë e të pavarur, si udhërrëfyes në çdo punë që bëjmë për vendin dhe për shqiptarët. Të udhëhiqemi nga qëllime të larta, më i larti prej të cilëve është mbrojtja e vlerave të paqes, demokracisë dhe prosperitetit të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama uroi këtë festë nga Vlora, aty ku sikurse e do tradita, u ngrit flamuri kuqezi, ashtu sikurse Ismail Qemali bëri 111-vite më parë.

Dita e Flamurit kremtohet dhe nderohet sot nga mbarë shqiptarët, si festa e krenarisë kombëtare dhe përkujtimit të 111 vjetorit të Pavarësisë. Vlora mikpriti, siç e do tradita, qindra qytetarë, në ceremonialin shtetëror të ngritjes së Flamurit, nën tingujt e himnit kombëtar dhe me praninë e personaliteteve më të larta politike të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët nderuan aktin e lartë kombëtar të shpalljes së pavarësisë, shkruan kryeministri në rrjetet sociale.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në urimin e saj, ka zgjedhur një citat nga Themeluesi i Shqipërisë së pavarur, Ismail Qemali: “Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë.

Dhe më poshtë, për të treguar se pavarësia, liria dhe integriteti i shtetit shqiptar, kërkon edhe sakrifica sublime, vijon: I drejtoj një lutje Zotit të Madh, që bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut”.

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, u ndal te roli i Shqipërisë në orientimin euroatlantik të rajonit.

Ne shqiptarët kemi ditur të konsolidojmë rolin tonë si garant të orientimit euroatlantik të rajonit. Kemi ditur po ashtu të promovojmë në sytë e të gjithë botës një model bashkëjetese e dialogu, mikpritje dhe tolerance, që kanë bërë që ne shqiptarët të fitojmë respektin dhe admirimin e aleatëve, miqve dhe partnerëve, shprehet Hasani në një video të shpërndarë nga Ministria e Jashtme, me momente nga Samiti i Diasporës dhe plane nga qytetet e Shqipërisë.

Kryetari i partisë Demokratike, Lulzim Basha, uroi shqiptarët me një postim në “Facebook”.

Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shqipëri! Uroj nga zemra të gjithë shqiptarët për festën e flamurit kuq e zi, simbolit tonë të shenjtë të lirisë dhe krenarisë kombëtare.

Basha ka zgjedhur që sot të bëjë homazhe në Boletin, në kullën e Isa Boletinit, “për të nderuar kontributin vendimtar të Isa Boletinit dhe luftëtarëve të Kosovës për pavarësinë e Shqipërisë”.

Pasi vendosi kurorën me lule në monumentin e Pavarësisë në Vlorë, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, uroi Ditën e Flamurit.

Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, simbolit që bashkon të gjithë shqiptarët, Gjergj Kastrioti Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe Adem Jasharin!

Nderimin më të thellë për Atin e Shqipërisë, themeluesin e shtetit tonë modern, Ismail Bej Vlorës dhe veprës së ndritur të shumë patriotëve të tjerë që përjetësuan 28 Nëntorin e vitit 1912! Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë!

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48765 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE