Lavdi dëshmorëve të atdheut, Begaj, Nikolla e Rama homazhe në 79-vjetorin e Çlirimit!

vovalbania November 29, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Lavdi dëshmorëve të atdheut, Begaj, Nikolla e Rama homazhe në 79-vjetorin e Çlirimit!

Me rastin e 29 Nëntorit, presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku Erion Veliaj e të tjerë zyrtarë, sot zhvilluan homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Drejtuesit më të lartë të shtetit vendosën kurora me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri” dhe u përkulën në nderim e respekt të sakrificës së dëshmorëve në 79-vjetorin e çlirimit të vendit.

Kjo është një ditë kujtese e sakrificës sublime të mijëra të rinjve e të rejave që ranë heroikisht në emër të lirisë.

Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar, fillimisht nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, u pushtuam nga forcat e Gjermanisë naziste.

Pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, qyteti i Shkodrës ishte i fundit që u çlirua. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët u radhitën në krah të koalicionit antifashist dhe zhvilluan luftë çlirimtare. Përvjetorët e Çlirimit shënohen me homazhe tek përmendorja “Nënë Shqipëri” pranë Varrezave të Dëshmorëve.

Më herët në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama shpërndau një video, të shoqëruar me urimin për çlirimin e vendit. “Dhe bashkë me urimin për festën e madhe të çlirimit, ju uroj të gjithëve një ditë të paqtë!”, – shkruante shefi i qeverisë.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla theksoi se kjo ditë është kurorëzimi i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar.

Çlirimi i Shqipërisë është një vepër monumentale e partizanëve shqiptarë, të mbështetur nga populli, të cilët në Luftën e Dytë Botërore e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë.

Kryeparlamentarja nënvizoi se lufta e ashpër kundër pushtuesve në malet, luginat, fshatrat, qytetet, në çdo pëllëmbë të territorit të Shqipërisë është një sakrificë e madhe, por edhe një frymëzim i madh.

Antifashizmi, liria dhe vlerat demokratike qëndrojnë në themelet e Shqipërisë evropiane, një anëtare e denjë e NATO-s, kontribuese e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Evropë e në botë dhe promotore e zhvillimit, integrimit dhe bashkëpunimit në rajon.

Gjithashtu, kjo ditë shënohet me disa aktivitete të tjera, përfshirë Natën e Bardhë që sonte kulmon me një koncert të madh festiv në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Prej vitesh tashmë, politika e feston e ndarë 29 Nëntorin. Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërsa të djathtët vazhdojnë t’i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor.

 

 

 

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50747 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE