Rusia sulmon me dronë dhe raketa Ukrainën!

vovalbania November 29, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rusia sulmon me dronë dhe raketa Ukrainën!

Në vijim të luftës rreth 2-vjeçare, gjatë orëve të natës, Rusia lëshoi 21 dronë e tri raketa lundruese kundër Ukrainës. Kjo u bë e ditur sot nga Forcat Ajrore ukrainase, teksa shtuan se të gjithë dronët, si dhe dy raketa janë shkatërruar para se të arrinin objektivin.

Dronët Shahed, të prodhimit iranian janë hedhur drejt rajonit Hmelnitski e jugu i Ukrainës është sulmuar me raketa, siç deklaruan Forcat Ajrore përmes një postimi në Telegram.

Në rajonin Hmelnitski gjendet një bazë ajrore.

Edhe pse nuk është shkatërruar, raketa e tretë nuk e arriti objektivin, thanë Forcat Ajrore, pa dhënë detaje të tjera.

Nuk pati raportime për dëme të shkaktuara nga rënia e dronëve të shkatërruar dhe e raketave.

Më herët në mëngjes, Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se një fregatë e Flotës së saj të Detit të Zi lëshoi katër raketa lundruese ndaj infrastrukturës ushtarake në Ukrainë, por nuk është e qartë se kur ndodhi ky sulm. Në shumicën e rasteve, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë lëshon me vonesë informacione për sulme të caktuara.

Marina e Ukrainës tha se tri raketat lundruese të Rusisë u hodhën nga rajoni Herson, që gjendet në afërsi të Detit të Zi, zonë që është nën kontrollin rus që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, 21 muaj më parë.

Ndërkaq, në një njoftim të ndarë, kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, njoftoi se kryeqyteti rus u sulmua me dron mëngjesin e 29 nëntorit, pra sot. Megjithatë, ai shtoi se droni ukrainas u rrëzua nga mbrojtja ajrore ruse mbi Podolsk, rreth 45 kilometra në jug të Moskës. Autoritetet e Rusisë nuk raportuan për dëme apo viktima. Në shkurt të vitit të kaluar, Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, vend në anën e të cilit u rreshtuan Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian e të tjera shtete, përfshirë Shqipërinë.

Lufta ka shkaktuar të vrarë, të plagosur e mijëra persona u detyruan të zhvendosen. Dëmet në infrastrukturë janë kolosale. Perëndimi iu kundërpërgjigj Moskës me sanksione të ashpra, ndërsa presidenti Vladimir Putin e shmang fjalën luftë e preferon ta përshkruajë atë që po ndodh si një “operacion special ushtarak”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49672 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE