Dëshmitari i fundit i Gërdecit: Ndiqja zbatimin e detyrave!

vovalbania November 30, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Dëshmitari i fundit i Gërdecit: Ndiqja zbatimin e detyrave!

Dëshmitari i fundit në procesin për Gërdecin ishte ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai.

“Ndiqja zbatimin e detyrave, s’kam bërë ndonjë procedurë për Gërdecin, kompania e demontimit na solli ofertën për procesin, kundrejt pagesës. Shtabi kërkonte licensim për këtë procedurë, bëri një memo për këtë, më pas realizova takimin me kompaninë peretodologjinë e procedurat, nga MM dhe SHTABI. Ishte takim njohës, jo konkludues, m’u bë një kërkesë që t’i drejtohesha ndërmarrjeve ushtarake, në një kohë të shkurtër erdhi përgjigjia, u ngrit grupi i punës për analizën e situatës, më pas doli urdhri i ministrit për grupin e punës.Nga drejtoria përkatëse m’u tha se s’kishte bazë ligjore dhe kërkohej një VKM, Mejko solli një memo, ku thuhej se duheshin demontuar municionet e viteve ’50 të cilat nuk shiteshin për shkak të vitit të vjetër të prodhimit. Pas daljes së konkluzionit të grupit të punës, dolën çmimet për shitjen dhe demontimin. Nisi hartimi i një VKM. I kam dërguar shkresë drejtorive përkatëse për ofertat e ndërmarrjeve ushtarake, siç ishte ndërmarrja e huaj SAC. Ka pasur disa fakse të ardhura në shifra që ia kalova komisioneve përkatëse”, tha ish-sekretari i Përgjithshëm.

Në pyetjen e Prokurorit ‘nëse ka patur licensë SAC’, dëshmitari u përgjigj: “Ishin paraqitur licensa, 4 mesa mbaj mend. MEICO ishte shoqëria qe mbante kontaktet me kompaninë SAC përfshirë këtu edhe për licensimin.”

‘Si u përzgjodh Gërdeci?’, ishte pyeta tjetër e prokurorit.

“Në diskutimet me MEICO më duket kishte marrëveshje dypalëshe me SAC, ku mes të tjerash ishte përcaktuar si lokacion Gërdeci.”

Nëse kishte apo jo licensë reparti i Gërdecit dëshmitari përgjigjet: “Praktika e licensimit nuk varet nga sekretari. Në çdo praktikë që unë kam kaluar edhe në të shkuarën, nuk ishte në përgjegjësinë e sekretarit apo ministrit përcaktimi nëse licensa e një reparti ishte e duhur apo jo. Ishte MEICO që e përcaktonte.”

Lidhur me kompaninë AlbaDemil, një degëzim i SAC, nëse kishte dokumentacionin e duhur apo jo, ish sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, përgjigjet:

“Marrëveshja përmendte vetëm SAC, nuk përmendej AlbaDemil, nuk kam dijeni, sepse AlbaDemil nuk figuronte në asnjë shkresë. Nuk është bërë asnjë verifikim për shkak se nuk figuronte. Nuk e njoh as Mihal Deliorgjin (drejtuesin e kompanisë AlbaDemil).”

Ndërsa i pandehuri Fatmir Mediu e pyeti ish-vartësin e tij se kush e përcaktonte buxhetin, ministri apo shtabi?

“Ministria e Mbrojtjes kishte një veçori ne ndryshim nga ministritë e tjera, buxheti i të cilave përcaktohej nga Këshilli i Ministrave. Ndërsa në Ministrinë e Mbrojtjes, buxheti përcaktohej nga Shtabi i Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.”

Ish ministri e pyeti dëshmitarin, ‘nëse në takimin me kreun e SAC Patric Henry ka qenë prezent apo jo vetë ai.’

Dëshmitari u përgjigj “jo”.

Ndërsa pyetjes nëse ndonjëherë municionet janë shitur me ankand ai u përgjigj negativisht.

Në fund, ish-ministri e pyet: ‘Ju keni qenë i akuzuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim me ish-ministrin e mbrojtjes, si ju kanë gjetur të treja shkallët e gjyqësorit?’

“Të pafajshëm”, tha dëshmitari.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49970 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE