Në GJKKO për Gërdecin, ish-ministri Mediu: Rihapja e çështjes, në kundërshtim me ligjin!

vovalbania November 30, 2023 0 koment 6 Mund të lexoni në minuta.
Në GJKKO për Gërdecin, ish-ministri Mediu: Rihapja e çështjes, në kundërshtim me ligjin!

Çështja Gërdeci, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu sot dëshmoi në Gjykatën e Posaçme. Mediu e nisi me një ndjesë të madhe, duke vënë në dukje se shpërthimet e 15 marsit 2008 që tronditën gjithë Shqipërinë, ndryshuan rrënjësisht jetët e të gjithë njerëzve që janë në gjyq, si dhe të familjes së tij.

Prej 15 marsit të vitit 2008, jeta e disa prej njerëzve që janë sot në këtë sallë, ka ndryshuar rrënjësisht. Pas shpërthimit në Gërdec, shumë prej tyre përjetuan ngjarje të rënda, deri në humbjen tragjike të njerëzve të tyre të dashur.  Kjo ngjarje tragjike, gjithashtu ndryshoi jo pak jetën time e të familjes sime. Që prej asaj dite, në mendjen e në shpirtin tim rëndon pesha e dhimbjes dhe vuajtjes së këtyre familjeve, të cilëve përulësisht iu rikërkoj një ndjesë të madhe për çfarë ndodhi dhe iu shpreh gjithë keqardhjen time të thellë njerëzore!

Ish-ministri tha se nuk ishin veprimet apo mosveprimet e tij, e as pakujdesia, që ndikuan në shpërthimet e Gërdecit, duke dhënë dorëheqjen në atë kohë, çka sipas tij u mor për dobësi.

Edhe pse, as me dashje dhe as nga pakujdesia, nuk janë veprimet apo mosveprimet e mia, apo dhe interesi im personal ato që shkaktuan apo ndikuan në shpërthimet në Gërdec, përsëri si ministër i Mbrojtjes, unë kam njohur e kam pranuar dje, si dhe pranoj sot përgjegjësinë time të plotë morale për çfarë ndodhi.  Në reflektim të kësaj përgjegjësie, si dhe prej dhimbjes së madhe për jetët e humbura, unë dhashë dorëheqjen nga detyra e ministrit të Mbrojtjes.

Jam i keqardhur që aktin e dorëheqjes sime si ministër e që më pas sjelljen dhe qëndrimin tim të përulur në lidhje me tragjedinë, grupime të caktuara politike e jopolitike e kanë parë si akt dhe sjellje dobësie e si reflektim të një individi me faj. Kam zgjedhur të jem i kursyer në shpjegimet e mia publike dhe të shmang sa të mundem të flas për ngjarjen. Me bindjen se shpjegimet dhe të vërtetat e mia rreth ngjarjes, për familjen Durdaj e të tjerët, jo vetëm nuk do të ishin një lehtësim i dhimbjes së tyre, por përkundrazi!

Për viktimat e Gërdecit, Mediu cilësoi fajtor shtetin, duke arsyetuar se në atë rast ishte ai ministri dhe do donte shumë ta zhbënte atë ngjarje, por tani i ngelet vetëm keqardhja e ndjesa.

Për familjarët e viktimave dhe të dëmtuarit në Gërdec, shteti është përgjegjësi që nuk mbrojti jetët e familjarëve të tyre. Për ta, në këtë rast, shteti është Ministri. Ndaj, kundrejt tyre unë nuk kam çfarë të them. Do të desha shumë ta zhbëja atë që ndodhi, por nuk kam asnjë forcë, veçse t’iu shpreh edhe njëherë keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për çfarë pësuan nga tragjedia e 15 marsit. Veç familjarëve, kushdo tjetër ka detyrim moral, por kur është rasti edhe detyrim institucional, që vlerësimin e gjykimin për atë ngjarje ta bëjë bazuar vetëm në fakte. Mbi të gjitha, ky detyrim është për prokurorinë dhe gjykatën, si dy institucione kompetente që vlerësojnë ligjërisht përgjegjësitë penale të individit.

Mediu nënvizoi se rihapja e çështjes dhe vazhdimi i këtij gjykimi, janë në kundërshtim me ligjin, teksa tha se do të besojë se kjo çështje “nuk është nxitur politikisht”. Gjytares iu drejtua me pyetjen:

Cila është baza ligjore që i ka dhënë të drejtën prokurorisë të ngrejë akuzë ndaj meje, pasi kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga 15 marsi i vitit 2008, momenti kur mendohet të jetë kryer vepra penale?

Ish-ministri shtoi:

Eshtë plotësisht e qartë që rihapja e çështjes penale në ngarkimin tim dhe më shumë akoma vazhdimi i këtij gjykimi, haptazi është në kundërshtim me Kodin Penal e atë Procedural Penal, me Kushtetutën e RSH, si dhe me Konventën Europiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut.

Dua  të besoj se nxitja për ta rihapur këtë çështje e për ta vazhduar gjykimin, nuk është politike dhe se ju nuk keni apo mbështesni interesa politike në këtë proces.  Si prokuror dhe gjyqtar, është e qartë që juve nuk ju mungon aftësia profesionale dhe dija për ligjin penal e më gjerë. Ndaj mbetet të keni kurajo të respektoni strikt ligjin dhe vetëm ligjin.

Neni 66 i Kodit Penal parashikon se nuk mundet të ushtrohet ndjekja penale nëse nga dita që është kryer vepra, deri në ditën që personi merret i pandehur, kanë kaluar 10 vjet për rastin e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.  Cila është baza ligjore që i ka dhënë të drejtën prokurorisë të ngrejë akuzë ndaj meje, pasi kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga 15 marsi i vitit 2008, momenti kur mendohet të jetë kryer vepra penale?

Cili nen i Kodit Penal parashikon pezullimin e parashkrimit të ndjekjes penale? Kodi Penal nuk parashikon as pezullim të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit. Gjykata e Lartë me vendim unifikues nr.1, datë 28.10.2022, ka konfirmuar përcaktimin e Kodit Penal, sipas të cilit nuk ka pezullim të parashkrimit të ekzekutimit të vendimit penal.

Kur nuk ka pezullim të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit, për të dënuar, që i largohen dhe  i fshihen drejtësisë, si mundet të ketë pezullim të parashkrimit të ndjekjes penale për një individ, i cili nuk është hetuar për mbi 10 vjet e që prezumohet i pafajshëm?

Çfarë e ka penguar prokurorinë të bëjë rihapjen e çështjes ndaj meje, të rihetojë, të ngrejë akuzë nga viti 2009 deri në vitin 2022?  Unë këtu kam qenë, nuk jam fshehur, nuk i jam shmangur ndonjë hetimi të mundshëm.

Për më shumë se 15 vjet, unë nuk jam pyetur pothuajse asnjëherë. Jo vetëm kaq, por kam këmbëngulur që Gjykata e Lartë në gjykimin e vitit 2009, të vazhdojë gjykimin. I kam kërkuar Prokurorisë së Përgjithëshme të tërheqë aktet e të kërkojë në Kuvend riheqjen e imunitetit.

Prokuroria e Përgjithshme nuk e bëri këtë dhe rrjedhimisht, Gjykata e Lartë vendosi pushimin e gjykimit pavarësisht kërkesës sime për ta vazhduar.  Çfarë provash apo rrethanash të reja janë shfaqur edhe pasi ka kaluar afati 10 vjeçar i parashkrimit, që e shtynë  prokurorinë/SPAK të rihapë këtë proces?  Asnjë provë, asnjë e dhënë e re.  Për më tepër, edhe në këto dy vite gjoja hetim, prokuroria/SPAK nuk shtoi absolutisht asgjë më shumë nga sa përmban hetimi i viteve 2008-2009. Në vendimin për të rihapur procesin dhe për ta dërguar çështjen në gjyq, nuk është respektuar as vendimi i Gjykatës së Lartë, nr. 1106, datë 21.12.2021.

Në paragrafin 23 të këtij vendimi përcaktohet qartazi se në momentin e disponimit përfundimtar të prokurorit për ushtrimin e ndjekjes penale dhe dërgimin e çështjes në gjyq do të vlerësohen afatet e parashikuara në Nenin 66 të Kodit Penal (PARASHKRIMI). As prokurori nuk e bëri këtë, por as edhe ju si gjykatë nuk po e bëni.  Mund të më thoni i nderuar prokuror se nga ku buron kurajoja juaj për të injoruar në mënyrë flagrante Kodin Penal për parashkrimin, për të injoruar vendimet e Gjykatës së Lartë, por edhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut për këtë institut penal?!

Denoncimi i paligjshmërisë së hapjes së procesit, nuk ka si qëllim t’i shmangem gjykimit. Por, rihapja e çështjes, në kundërshtim flagrant me ligjin është tregues i mungesës së garancive për një proces të drejtë ligjor nga ana juaj.

Fatmir Mediu akuzohet për “Shpërdorim detyre, të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak”. Ish-ministri i Mbrojtjes u rikthye në gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit 2008, ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49657 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE