Samiti i OSBE-së në Shkup, kryeministri maqedonas Kovaçevski: Lufta në Ukrainë po rrënon themelet e OSBE-së!

vovalbania November 30, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Samiti i OSBE-së në Shkup, kryeministri maqedonas Kovaçevski: Lufta në Ukrainë po rrënon themelet e OSBE-së!

“Lufta në Ukrainë po rrënon themelet e OSBE-së”. Ky ishte shqetësimi i shprehur nga kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, sot në nisje të punimeve të samitit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, në Shkup.

Ne kemi kryesuar vitin më të vështirë për OSBE-në, duke pasur parasysh se organizata është përballur me një sërë sfidash në dritën e agresionit të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës. Por, shpresoj që do të arrijmë t’i miratojmë vendimet për të zgjedhur kryesuesin e ri e katër pozicionet më të rëndësishme në OSBE, si dhe buxhetin për funksionimin e organizatës.

Kovaçevski e vuri theksin te takimi i djeshëm me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken e me kryediplomatin britanik, David Cameron.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se çdo vend në mënyrën e vet dërgon mesazhe për agresionin e pajustifikuar të Rusisë kundër një shteti sovran, Ukrainës. Disa vende e bëjnë këtë me mungesën e tyre dhe disa me pikëpamje të shprehura qartë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, vendit mikpritës të takimit, shtoi se “agresioni rus kundër Ukrainës ka vazhduar me intensitet të lartë dhe me pasoja të rënda e shkatërruese, duke konfirmuar padrejtësinë”.

Çdo ditë që kalon dhe çdo jetë e humbur, po dëshmon ashpërsinë e agresionit dhe aktin e shkeljes flagrante të sovranitetit e të Kartës së Kombeve të Bashkuara, parimet e angazhimet e OSBE-së, por para së gjithash, vlerat njerëzore. Populli i Ukrainës meriton paqe dhe lufta duhet të ndërpritet! Arritja e paqes mbetet imperativ. Kjo luftë po vazhdon të rrënojë themelet e OSBE-së.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, iu bëri thirrje pjesëmarrësve në samit, që të arrijnë një konsensus për Maltën si kryesuese e radhës së OSBE-së për vitin 2024.

Osmani pohoi faktin se gjatë kryesimit të Maqedonisë së Veriut, OSBE-ja u përball me pasojat e agresionit rus ndaj Ukrainës, duke shkelur rregullat e kësaj organizate dhe sigurinë europiane e njerëzore.

Në samitin e OSBE-së po marrin pjesë kryediplomatë të 57 vendeve anëtare të organizatës, përfshirë ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov. Në Shkup, ai arriti në orët e para të ditës së sotme.

Avioni i Lavrovit u detyrua të udhëtonte mbi Turqi dhe Greqi për të shkuar në Maqedoni të Veriut pasi Bullgaria nuk e lejoi të përshkonte hapësirën ajrore bullgare, në kuadër të sanksioneve për luftën ruse në Ukrainë. Sofia kishte dhënë leje vetëm për anëtarët e delegacionit të Lavrovit.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, akuzoi Bullgarinë për “budallallëk”. Ndërkaq, prania e Lavrovit ka shkaktuar debate e reagime të shumta, nëse me pjesëmarrjen në samitin e OSBE-së, Moska po përfiton e forcon pozitën në skenën ndërkombëtare, pavarësisht pushtimit të paprovokuar të Ukrainës. Në shenjë pakënaqësie, Ukraina e shtetet baltike nuk kanë dërguar ministrat e Punëve të Jashtme në Këshillin Ministror.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50511 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE