8 risi kryesore të projektligjit gjerman të shtetësisë, hiqen kushtëzimet për atë të dyfishtë!

vovalbania December 01, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
8 risi kryesore të projektligjit gjerman të shtetësisë, hiqen kushtëzimet për atë të dyfishtë!

Në Gjermani, Parlamenti vijon konsultimet për reformimin e ligjit të ri të shtetësisë. Tetë janë risitë kryesore.

1. Lejohet shtetësia e shumëfishtë

Ligji aktual lejon shtetësinë e dyfishtë për shtetasit e BE-së,  Zvicrës, si edhe për fëmijët e lindur e rritur në Gjermani deri në moshën 22-vjeçare. Më pas, duhet të vendosin cilën shtetësi të mbajnë. Kusht për dhënien e shtetësisë gjermane është heqja e shtetësisë së mëparshme. Ky kusht, anashkalohej kur shteti i origjinës nuk pranonte t’i hiqte shtetësinë qytetarit të vet, si Irani apo Kosova, para shpalljes së pavarësisë. Me ligjin e ri, bie kushti i heqjes së shtetësisë tjetër.

2. Shkurtohen afatet e fitimit të shtetësisë

Ndërsa sipas ligjit ekzistues duheshin tetë vjet qëndrim në Gjermani për të marrë shtetësinë gjermane, ligji i ri lejon marrjen e shtetësisë edhe pas pesë vjetësh qendrimi në Gjermani, madje edhe pas tre vjetësh, nëse dëshmon aftësi të veçanta integruese.

3. Shkurtohet afati i qëndrimit të prindit për fitimin e shtetësisë së fëmijëve

Shkurtohet nga 8 në 5 vjet, periudha e nevojshme e qëndrimit të prindit në Republikën Federale për marrjen automatike të shtetësisë gjermane nga ana e fëmijëve të lindur në vend. Hiqet rregulli i përzgjedhjes së një shtetësie, në moshën 22-vjeçare.

4. Njohja e rendit kushtetues të lirë demokratik

Si parakusht për fitimin e shtetësisë gjermane bie kushti për t’iu nënshtruar jetesës gjermane dhe vihet kushti i njohjes së rendit kushtetues të lirë e demokratik.

5. Shtetësia gjermane nuk u jepet antisemitëve dhe racistëve

Sipas projektligjit e propozimeve përkatëse të shtuara nga qeveria, në përgjigje të rritjes së urrejtjes ndaj hebrenjve në Gjermani, ligji parashikon që shtetësia gjermane të mos iu jepet personave që bëjnë propagandë antisemite, ku hyn mohimi i të drejtës ekzistenciale të Izraelit, si edhe djegia e flamurit izraelit.

6. Shtetësia nuk u jepet homofobëve dhe burrave të martuar me shumë gra ose që përçmojnë gratë

Ky propozim iu shtua projektligjit, me kërkesë të Këshillit Federal, Bundesrat, i dyti organ ligjvënës në Gjermani, krahas Bundestagut. Këshilli Federal kërkon të mos u jepet shtetësia gjermane personave që me sjelljen e tyre  kanë dëshmuar se nuk respektojnë të drejtat e barabarta mes burrave e grave ose kryejnë vepra përçmuese ndaj një gjinie të caktuar apo kundrejt një orientimi seksual të caktuar.

7. Informacione në prokurori

Autoritetet përkatëse kanë të drejtë të informohen për kandidatin në zyrat përkatëse të Prokurorisë Publike, për vepra penale të bazuara në motive antisemite, raciste ose të tjera përçmuese ndaj njerëzve.

8. Lëshime dhe përjashtime për emigrantët e orëve të para

Projektligji bën përjashtime për disa grupe të caktuara emigrantësh, që jetojnë në Gjermani prej shumë vitesh e që janë mbi 65-vjeç. Ata kanë të drejtë ta marrin shtetësinë pa kaluar në provim gjuhe dhe pa qenë nevoja të dëshmojnë se nuk marrin ndihma sociale. Bëhet fjalë sidomos për fuqinë punëtore të rekrutuar nga Gjermania në vitet 50-të e deri në fund të viteve 70-të të shekullit të kaluar.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50104 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE