Raporti i DASH-it për Terrorizmin, kritika Kosovës për dënime me pak vite burg!

vovalbania December 01, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Raporti i DASH-it për Terrorizmin, kritika Kosovës për dënime me pak vite burg!

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se vitin e kaluar, institucionet e drejtësisë në Kosovë vazhduan të jepnin dënime të ulëta për akuzat e lidhura me terrorizmin e shton se pati edhe lirime të parakohshme për këto akuza. Në raportin për Terrorizmin për Shtetet, sa i përket Kosovës, thuhet se më 2022-shin, Prishtina vazhdoi të riatdhesonte shtetasit e saj nga kampet dhe qendrat e ndalimit në Siri.

Operacioni i tretë i riatdhesimit në maj, u krye në bashkëpunim me Shqipërinë dhe u mbështet nga Shtetet e Bashkuara.

Deri tani, Kosova ka riatdhesuar mbi 120 shtetas. 80 të tjerë vazhdojnë të jenë në kampet e të zhvendosurve apo në qendrat e ndalimit, si edhe në fushëbeteja në Siri. Dënimet e ulëta për akuzat e lidhura me terrorizmin kanë vazhduar.

Sipas SHBA-ve, qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë vendit, “janë shënjestra potenciale për rekrutim nga organizatat të dhunshme ekstremiste, me orientim etno-nacionalist apo fetar”.

Gjatë vitit 2022, Kosova ndoqi penalisht një grua të riatdhesuar me ndihmën e SHBA-ve. Edhe pse u dënua me dy vjet burg për shkak se iu bashkua ISIS-it, gjykatat e Kosovës kanë dënuar të riatdhesuarit me tre deri në katër vjet e gjysmë burgim për organizim dhe pjesëmarrje në aktivitetet terroriste të ISIS-it.

Në raportin e DASH-it përmendet edhe rasti i aktakuzës ndaj katër personave të dyshuar për përgatitje të veprave terroriste kundër rendit kushtetues. U dyshuan se tentuan të krijonin struktura organizative për të kryer sulme terroriste në Kosovë, duke kontaktuar me një përfaqësues të lartë të Shtetit Islamik.

Në qershor, Gjykata Themelore në Prishtinë liroi nga akuzat katër persona: dy dyshoheshin për përgatitje të sulmeve ndaj klubeve të natës, kishave e forcave të Kosovës dhe dy, për vepra të tjera penale. Ata u liruan në mungesë të provave.

Sipas ligjeve në Kosovë, për vepra terroriste dhe kundër rendit kushtetues parashikohen dënime të ndryshme. Që nga viti 2015, në Kosovë ndalohet edhe pjesëmarrja në luftëra të huaja e sipas ligjit, parashikohen dënime deri në 15 vjet burg.

DASH-i vuri në dukje se Kosova ka legjislacionin për të luftuar edhe financimin e terrorizimit, por “ka mungesë të një strategjie për të adresuar kërcënimet e lidhura me terrorizmin”.

Megjithatë, dënimet e shkurtra, lirimet e parakohshme e me kusht, si dhe mungesa e mbikëqyrjes pas lirimit paraqesin kërcënime për sigurinë.

Sa i përket incidenteve terroriste më 2022-shin, DASH përmend edhe arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç në dhjetor të vitit 2022, nën akuza për terrorizëm. Kjo pas sulmit që përfshiu mjete shpërthyese ndaj zyrave lokale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe stafit të këtij komisioni në Mitrovicën e Veriut.

Arrestimi i tij nxiti banorët lokalë të vendosnin barrikada në veri të Kosovës, duke bllokuar për disa javë rrugët që çonin drejt pikëkalimeve kufitare të Jarinjës e Bërnjakut, që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Barrikadat u hoqën pasi Pantiçit iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim, në arrest shtëpie.

Po ashtu, raporti përmend dënimin që Qeveria e Kosovës i bëri sulmeve të armatosura ndaj policisë në veri të Kosovës, duke i cilësuar “akt terrorist”.

Prokurorët kosovarë i klasifikuan këto incidente të lidhura me akuza terroriste dhe raste kundër rendit kushtetues.

Sa i përket aspektit të sigurisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, raporti i DASH-it tha se “çështjet e sigurisë dhe paqëndrueshmëria politike në veri, vazhdojnë të kufizojnë aftësinë e Qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin e saj atje. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR dhe Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit, EULEX, kanë bashkëpunuar me Policinë e Kosovës për të promovuar një mjedis të sigurt dhe forcimin e sundimit të ligjit”.

DASH-i përmend edhe vlerësimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë se që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, në Kosovë ka pasur rritje të dezinformatave dhe se ato “janë gjithnjë e më shumë nxitëse të mendimit të dhunshëm ekstremist” dhe “polarizimi ndëretnik ka kontribuar në rritjen e tensioneve ndëretnike në veri të Kosovës”.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49300 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE