Në tre muaj mbi 1000 persona kanë humbur jetën për shkak të përmbytjeve në Pakistan!
Mbi 1.000 persona kanë vdekur si rezultat i përmbytjeve në Pakistan që nga qershori, thanë zyrtarët ditën e sotme. Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Fatkeqësive tha se 119 persona kanë vdekur në 24 orët e fundit, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave të arrijë në 1.033.
Zyrtarët në Pakistan kanë thënë se gjatë këtij viti vërshimet kanë prekur mbi 33 milionë banorë – një në shtatë pakistanezë – duke shkatërruar apo dëmtuar rëndë pothuajse 1 milion shtëpi. Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Fatkeqësive tha se mbi 2 milionë hektarë të mbjella me produkte bujqësore janë shkatërruar plotësisht, 3.451 kilometra rrugë janë shkatërruar dhe 149 ura janë shembur.
Shirat që bien çdo vit zakonisht janë thelbësore për ujitjen e tokës bujqësore dhe mbushjen e kapaciteteve të liqeneve. Por, ato çdo vit sjellin edhe një valë shkatërrimi.
Vendi ka bërë thirrje për më shumë ndihmë ndërkombëtare dhe Sharif zhvilloi një takim me ambasadorët e huaj në Islamabad. Ai tha se humbjet e shkaktuara nga përmbytjet këtë sezon ishin të krahasueshme me ato të përmbytjeve të viteve 2010-11. Më herët, ministrja për klimën Sherry Rehman tha se vendi po kalonte ciklin e tetë të reshjeve sezonale “ndërsa normalisht vendi ka vetëm tre deri në katër cikle shirash”.
Që nga fillimi i sezonit veror, cikle të shumta reshjesh kanë goditur Pakistanin. Të paktën 184.000 njerëz janë zhvendosur në kampet humanitare, bëri të ditur të enjten agjencia e OKB-së për ndihmën ndaj fatkeqësive. Pakistani jugor është goditur më së shumti nga shirat – veçanërisht rajoni i Sindh. Ministrja Rehman tha të enjten se autoritetet lokale kishin kërkuar një milion tenda për të strehuar njerëzit e zhvendosur.