Ligjvënësve amerikanë po u mbaron koha për të miratuar ndihmat për Ukrainën!

vovalbania December 08, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Ligjvënësve amerikanë po u mbaron koha për të miratuar ndihmat për Ukrainën!

Mbeten vetëm 4 ditë pune para nisjes së pushimeve, por Kongresi Amerikan ende nuk është pranë miratimit të kërkesës së Shtëpisë së Bardhë për 60 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën. Ligjvënësve po iu mbaron koha për një marrëveshje mbi sigurinë kufitare, që republikanët kërkojnë të përfshihet në negociata.

Senatorët amerikane rifilluan negociatat, pasi nuk arritën të hapnin debatin mbi kërkesën shtesë pas një votimi me rezultatin 49 pro dhe 51 kundër, të mërkurën në mbrëmje. Demokratët kundërshtojnë propozimet e republikanëve për të ndryshuar rregullat e azilit në kufirin e SHBA-ve.

Senatori republikan Lindsey Graham i bëri thirrje presidentit Joe Biden që të zbatojë ligjet ekzistuese të emigracionit.

Nuk do të kthehem në shtetin tim, në Karolinën e Jugut, duke u përpjekur të shpjegoj pse kam ndihmuar Ukrainën, Tajvanin e Izraelin dhe nuk kam bërë asgjë për të siguruar kufirin tonë. Unë dua t’i ndihmojmë të gjithë aleatët tanë, por ne duhet të ndihmojmë veten tonë në fillim.

Ndihmat për Ukrainën janë pjesë e një pakete shtesë urgjente prej 106 miliardë dollarësh, ku përfshihen ato ushtarake për Izraelin e partnerët e Indo-Paqësorit, si dhe për financimin e sigurisë kufitare.

Republikanët në Kongres janë të gatshëm t’i japin Putinit një dhuratë, dhuratën më të madhe që ai mund të shpresojë, u tha gazetarëve sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Demokratët argumentojnë se kërkesa e Shtëpisë së Bardhë duhet të konsiderohet e gjitha së bashku, si pjesë e një strategjie më të gjerë të sigurisë kombëtare. Lideri i shumicës në Senat, Chuck Schumer:

Ishin republikanët që bënë një lëvizje dredharake për ndihmat ndaj Ukrainës duke i lidhur ato me çështjen e kufirit. Ne të gjithë biem dakord se siguria kufitare është e rëndësishme. Presidenti Biden përfshiu ndryshime të forta në propozimin që na dërgoi. Por, ne gjithashtu e dimë se çështja e kufirit është e ndërlikuar, shumë komplekse, që i ka shpëtuar zgjidhjes dypartiake për vite me radhë.

Në fillim të kësaj jave, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy pritej t’iu drejtohej senatorëve amerikanë përmes një videokonference, por u anulua papritur. Udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell, një mbështetës i fortë i ndihmave për Ukrainën, theksoi se “propozimet republikane për sigurinë kufitare duhet të përfshihen për të fituar votat e tyre”.

Sërish, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka bërë thirrje Izraelit të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët në Rripin e Gazës e për të mundësuar hyrjen e ndihmave humanitare. Blinken kërkoi të ketë ushqim, ujë dhe ilaçe për refugjatët në zonat e sigurisë.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49367 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE