Historike! BE-ja vë rregulla të qarta mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale!

vovalbania December 09, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Historike! BE-ja vë rregulla të qarta mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale!

Europa arriti një marrëveshje të përkohshme mbi rregullat e përdorimit të Inteligjencës Artificiale, përfshirë përdorimin e saj nga qeveritë, në shqyrtimin e të dhënave biometrike, si dhe mënyrën e rregullimit të sistemeve të inteligjencës artificiale si ChatGPT.

Me këtë marrëveshje politike, BE-ja duket se po shkon drejt shndërrimit në fuqinë e parë të madhe botërore, që miraton ligje që rregullojnë Inteligjencën Artificiale. Akordi mes vendeve të BE-së dhe anëtarëve të Parlamentit Europian erdhi pas gati 15 orësh negociatash që pasuan një debat pothuajse 24-orësh.

Palët janë të vendosura të përcaktojnë detajet në ditët në vijim, që mund të ndryshojnë formën e ligjit përfundimtar. Marrëveshja parashikon masa mbrojtëse të përgjithshme lidhur me përdorimin e Inteligjencës Artificiale, kufizimin në përdorimin e zbatimit të ligjit të sistemeve të identifikimit biometrik, si dhe ndalime në përdorimin e Inteligjencës Artificiale për të manipuluar ose shfrytëzuar dobësitë e përdoruesve.

Konsumatorët do të kishin të drejtën të nisnin një proces ankimi e të merrnin shpjegime domethënëse, ndërsa gjobat për shkelje do të varionin nga 7.5 në 35 milion euro. Eurokomisioneri Thierry Breton:

Historike! BE-ja bëhet kontinenti i parë që vendos rregulla të qarta për përdorimin e Inteligjencës Artificiale.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se “rregullat mbi Inteligjencën Artificiale do të ofrojnë kuadër ligjor unik për të zhvilluar teknologji të besueshme, që nuk cënojnë sigurinë e të drejtat themelore të njerëzve dhe bizneseve”.

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në shqyrtimin e të dhënave biometrike vuri përballë politikëbërës, që donin ta përdornin për qëllime të sigurisë kombëtare e mbrojtjes, me ata ligjvënës të BE-së, që synonin t’i ndalonin për shkak të shqetësimeve të lidhura me privatësinë.

Në mbarë botën, qeveritë po kërkojnë të balancojnë avantazhet e teknologjisë, e cila mund të kryejë biseda të ngjashme me ato që bëjnë njerëzit, t’u përgjigjet pyetjeve e të shkruajë kode kompjuterike, me nevojën për të vendosur mure mbrojtëse.

Rregullat ambicioze europiane mbi Inteligjencën Artificiale vijnë pasi kompani si OpenAI, në të cilën kanë investuar kompani si Microsoft-i, vazhdojnë të bëjnë zbulime të reja mbi mënyrën e përdorimit të kësaj teknologjie, duke nxitur si vlerësime ashtu edhe shqetësime.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49276 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE