Putin: Lufta në Ukrainë do të vazhdojë, qëllimet mbeten të njëjta!

vovalbania December 14, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Putin: Lufta në Ukrainë do të vazhdojë, qëllimet mbeten të njëjta!

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk dha shenja se do të tërhiqet nga lufta në Ukrainë. Duke folur në konferencën e përvitshme për media, sot tha se qëllimet e tij mbeten të njëjta dhe se paqja do të vijë kur ato të arrihen. Teksa merrte pyetje nga gazetarët, publiku dhe ushtarët, Putin deklaroi se qëllimet kryesore të Rusisë mbeten “denazifikimi” dhe “çmilitarizimi” i Ukrainës, duke siguruar edhe neutralitetin e saj.

Do të ketë paqe kur t’i arrijmë qëllimet tona. Sa i përket çmilitarizimit, nëse ukrainasit nuk duan të arrijnë marrëveshje, mirë! Atëherë, ne jemi të detyruar të marrim masa të tjera, përfshirë ato ushtarake. Kemi një marrëveshje, biem dakord mbi disa parametra për madhësinë dhe forcën e ushtrisë së Ukrainës ose ne e zgjidhim këtë me forcë. Kjo është ajo për të cilën ne do të përpiqemi.

Që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, në muajin shkurt të vitit 2022, Putin tha se qëllim i operacionit është “çmilitarizimi dhe denazifikimi” i Ukrainës, terma që zyrtarët e Kremlinit i kanë përdorur për të pohuar në mënyrë të rreme se Qeveria në Kiev kontrollohet nga simpatizantët nazistë.

Kjo, përkundër faktit se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është hebre dhe ka humbur të afërm në Holokaust. Më 8 dhjetor, Putin njoftoi se do të garojë për rizgjedhje. Ai foli pas një ceremonie në Kremlin, në të cilën ushtarëve që luftuan në Ukrainë, u dha “Yllin e Artë – Hero i Rusisë”, nderimi më i lartë ushtarak në këtë vend.

Zgjedhjet ruse kontrollohen nga Kremlini dhe nuk janë as të lira e as të drejta. Ato i ka dëmtuar përjashtimi i kandidatëve të opozitës, frikësimi i votuesve, mbushja e fletëvotimeve dhe mjete të tjera të manipulimit.

Putin fitoi të drejtën për të garuar në dy zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Rusisë, pasi miratoi disa ndryshime kushtetuese në vitin 2020, të cilat i hapën rrugë për të mbetur në pushtet deri në vitin 2036. Ai ishte herë kryeministër, herë president që nga viti 1999.

Nëse shërben edhe një mandat tjetër të plotë, ai do ta kapërcejë sundimin gati 30-vjeçar të Stalinit dhe do të bëhet udhëheqësi më jetëgjatë i Rusisë që nga Katerina e Madhe (1762-1796). Ndërkaq, nuk ka gjasa të përballet me ndonjë sfidë nga dy rivalët e tij kryesorë: Aleksei Navalny e Vladimir Kara-Murza. Të dy ata janë në burg duke vuajtur dënime të gjata, për shkak të mosmarrëveshjeve me Kremlinin.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49967 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE