Zgjedhjet në Serbi, qendrat e votimit u hapën pa vonesa/Prishtina mesazh shqiptarëve të Luginës së Preshevës!

vovalbania December 17, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Zgjedhjet në Serbi, qendrat e votimit u hapën pa vonesa/Prishtina mesazh shqiptarëve të Luginës së Preshevës!

Bashkë me zgjedhjet parlamentare, sot Serbia mban dhe ato lokale. Të drejtë vote kanë rreth 6.5 milion qytetarë, të thirrur për të zgjedhur në orarin 07:00 me 20:00. Janë mbi 8 mijë qendra votimi. Në të parën konferencë për media për sot, kryetari i Komisionit Zgjedhor të Serbisë, Vlladimir Dimitrijeviç tha se të gjitha qendrat e votimit u hapën në kohë.

Materiali zgjedhor është i kompletuar dhe i saktë e të gjitha qendrat e votimit u hapën në orën 07:00.

Këto janë zgjedhjet e pesta që organizohen në Serbi në 11 vite, pra prej 2012-ës e mbahen vetëm 18 muaj pas procesit të fundit elektoral. Votimet po monitorohen nga mbi 5 mijë e 500 vëzhgues vendas e të huaj, një numër rekord i tyre, në krahasim me zgjedhjet e deritanishme.

Zgjedhjet u nxitën prej zemërimit në rritje të publikut për të shtënat masive me armë të këtij viti, si dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për proces të ri zgjedhor.

Dy sulmet me armë të muajit maj që lanë të vdekur 19 persona, përfshirë 9 nxënës e adoleshentë, çuan në protesta në rrugë, me javë të tëra.

Partitë opozitare dhe aktivistët për të drejtat e njeriut akuzojnë subjektin në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksander Vuçiç për kufizim të lirisë së mediave, mbështetje të dhunës kundër kundërshtarëve, korrupsion e lidhje me krimin e organizuar.

Vuçiç dhe aleatët i hedhin poshtë akuzat. Disa sondazhe nxjerrin partinë e Vuçiçit si fituese të zgjedhjeve, të dytin koalicionin e partive opozitare e të tretën, Partinë Socialiste të ish-ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiç, në koalicion me SNS-në e Vuçiçit.

Serbët në Kosovë do të udhëtojnë për të votuar

Serbët e Kosovës do të mund të votojnë vetëm për Parlamentin e iu duhet të udhëtojnë drejt Serbisë pasi procesi zgjedhor nuk lejohet të zhvillohet në Kosovë, ndryshe nga vite më parë.

Ata mund të votojnë në katër qytetet jugore Vranjë, Kurshumli, Rashkë e Tutin. Prishtina zyrtare kërkoi që Serbia t’i bënte kërkesë për mbajtje të zgjedhjeve, por Beogradi zyrtar nuk veproi pasi nuk e njeh Kosovën shtet.

Zgjedhjet e fundit parlamentare që Serbia ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë ishin të 21 qershorit 2020. Ato votime u mbajtën sipas një praktike të mëparshme me misionin e OSBE-së në Kosovë që grumbullonte votat. Më pas, numëroheshin në Rashkë e Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Thirrje shqiptarëve në Serbi

Zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi iu bëri thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës të votojnë në zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Projekti serb për heshtjen e zërit shqip duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim!

Këtë herë, shqiptarët e Luginës garojnë me dy lista. Në përbërjen e kaluar parlamentare, Shaip Kamberi ka qenë përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49256 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE