Goditet grupi kriminal në Fier, trafikonin vepra arti me vlerë 1.5 milionë euro nga Greqia në Shqipëri!

vovalbania December 19, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Goditet grupi kriminal në Fier, trafikonin vepra arti me vlerë 1.5 milionë euro nga Greqia në Shqipëri!

Një grup kriminal që trafikonin vepra arti me vlerë 1.5 milionë euro është goditur në Fier, ku janë sekuestruar në dy banesa shpata, koka mermeri dhe ikona të ndryshme.

Në kuadër të operacionit të kodua “Vlera”, janë arrestuar dy persona, të cilët në bashkëpunim me shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, kanë trafikuar vepra arti nga shteti grek, për t’i shitur në Shqipëri.

Policia thotë se 5 muaj hetime çuan në arrestimin e dy personave në Fier. Shpëtim Kalemi 51 vjeç dhe Pandeli Petani, 57 vjeç.

Sipas policisë, “gjatë këtij operacioni, u ushtrua kontroll në dy banesa në qytetin e Fierit, konkretisht në banesat Shpëtim Kalemi dhe Pandeli Petani, ku shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 107 vepra arti të dyshuara të trafikuara nga shteti grek, ndër të cilat ikona dhe piktura të autorëve grekë dhe rumunë, shpata dhe sende të tjera që dyshohet se i përkasin periudhës së antikitetit, një kokë mermeri e dyshuar e shekullit të dytë para lindjes së Krishtit, të gjitha këto me vlerë rreth 1.5 milionë euro, si dhe automjeti furgon me të cilin autorët transportonin veprat nga shtetit grek, në Shqipëri, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis dhe një peshore elektronike”.

Policia sqaron se nga hetimi rezultoi se të arrestuarit, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë trafikuar vepra arti nga shtetit grek, për t’i shitur në Shqipëri.

Autoritetet vijojnë punën hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë. “Gjithashtu do të bashkëpunohet me policinë greke, për të zbardhur dhe dokumentuar këtë veprimtari kriminale dhe për të çuar përpara drejtësisë edhe shtetasit e tjerë të implikuar”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48872 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE