Votimi për imunitetin e Berishës dhe protesta e opozitës, Kuvendi blindohet nga masat e sigurisë!

vovalbania December 21, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Votimi për imunitetin e Berishës dhe protesta e opozitës, Kuvendi blindohet nga masat e sigurisë!

Selia e Parlamentit është blinduar nga masat e sigurisë për protestën e thirrur sot në mëngjes nga opozita. Mësohet se rreth 500 efektivë janë angazhuar për mbarëvajtjen e saj, si dhe raportohet për instalim të kamerave me rezolucion të lartë.

Policia e Shtetit ka marrë masa paraprake për parandalimin e incidenteve gjatë protestës së Berishës. Që në orët e para të mëngjesit nisi implementimi i uniformave blu. Sipas planit të masave, rreth 500 efektivë nga Policia e Tiranës dhe forcat e sigurisë kombëtare janë dislokuar te selia e Kuvendit. Do të ndiqet protokolli anti-tubim, me automjete për shpërndarjen e turmës dhe punonjësit janë të pajisur me kundragaz. Në shërbim të përforcuar është dhe Garda e Republikës, në të gjithë institucionet shtetërore.

Po ashtu, për të shmangur përsëritjen e skenave të përplasjeve apo bllokimeve për të hyrë në sallën e seancave plenare, deputetët socialistë hynë dy orë para nises së seancës ku pritet të votohet heqja e imunitetit të deputetit Sali Berisha duke i hapur rrugë SPAK-ut për arrestimin/heqjen e lirisë së tij, në këto çaste nis një protestë e opozitës, me moton “O SOT, O KURRË!”.

Teksa hedh akuza për orkestrim të drejtësisë në goditjen e kundërshtarit politik, opozita ka paralajmeruar mosbindje civile me të gjitha metodat që sipas saj, parashikojnë manualet ndërkombëtare të rezistencës.

Dje në Kuvendin e Shqipërisë u depozituan dy raporte nga anëtarët e Këshillit të Mandateve, që më 18 dhjetor, me 6 vota pro, miratuan kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, për “Korrupsion pasiv” në lidhje me aferën e privatizimit të klubit Partizani.

Një prej tyre është i maxhorancës, ndërsa raporti tjetër, i deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj, i cili ishte i vetmi përfaqësues i opozitës në Këshillin e Mandateve. Të dy raportet kërkojnë dhënien e autorizimit për t’i hapur rrugë kërkesës së SPAK-ut lidhur me arrestimin/heqjen e lirisë Sali Berishës.

Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e deputetëve demokratë, të cilët kërkuan pezullimin e vendimit të GJKKO-së për masën shtrënguese ndaj Sali Berishës e për rrjedhojë edhe pezullimin e arrestimit të tij.

Për Gjykatën Kushtetuese, Sali Berisha ka të drejtë ta ankimojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, SPAK, pasi të ezaurojë ankimet në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Në padinë e tyre, deputetët demokratë pretenduan se masa e marrë më 20 tetor ndaj Sali Berishës “Detyrim për paraqitje”, lidhur me aferën e privatizimit të klubit sportiv Partizani, është antikushtetuese dhe u mor pa u kërkuar paraprakisht autorizimi i Kuvendit.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50533 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE