Depozitat orientohen në monedhën vendase/ Humbje nga zhvlerësimi i valutave!

vovalbania December 28, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Depozitat orientohen në monedhën vendase/ Humbje nga zhvlerësimi i valutave!

Kursimet e individëve, familjeve e bizneseve në monedhën vendase shënuan një rritje të ndjeshme gjatë muajit nëntor. Në të kundërt, rritja e depozitave në valutë që kishte orientuar tendencën e kursimeve kohët e fundit është ndalur.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit nëntor, stoku i depozitave në lekë arriti në 564 miliardë lekë, me një rritje prej 3.1% ose 17 miliardë lekë më shumë se muaji i mëparshëm. Ky është zgjerimi më i lartë mujor që nga dhjetori i vitit 2021. Në ecurinë pozitive të kursimeve në lekë, ndikimin kryesor e kanë dhënë kompanitë publike, ato private si dhe individët.

Rritja ka qenë më e fortë në kursimet pa afat, por dhe individët duket se po i rikthehen depozitave me afat pas rritjes së normave të interesit.

Me bazë vjetore (nëntor 2023/nëntor 2022), depozitat në lekë janë rritur me 4.2%. Ndryshe nga kursimet në lekë, e dobët ka qenë ecuria e depozitave në euro që përbëjnë dhe pjesën më të madhe të monedhës së huaj që ruhen paratë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kursimet në euro ishin 7.28 miliardë lekë në nëntor, me një rritje minimale prej 22 milion eurosh, që është më e ulëta që nga nëntori 2022. Tendenca është ndikuar nga rënia e kursimeve të individëve me afat 1 vit.

Gjithsesi, me bazë vjetore, depozitat në euro janë rritur ndjeshëm me 17% ose rreth 1 miliard euro që janë shtuar në banka si formë kursimesh në monedhën e përbashkët.

Banka e Shqipërisë i raporton të dhënat e depozitave në valutë si në monedhën përkatëse, ashtu dhe të konvertuara në lekë. Treguesi i mësipërm i euros është nga raporti në monedhën europiane.

Ndërsa të raportuara në lekë, kursimet në valutë shënuan një rënie të ndjeshme në nëntor, për shkak të ndikimit të kursit të këmbimit (euros dhe dollarit të dobët).

Të konvertuara në lekë, depozitat në valutë ishin 707 miliardë lekë në nëntor, me një rënie prej 27 miliardë lekësh ose rreth 260 milion euro më pak, që është “humbja” për shkak të zhvlerësimit të monedhave të huaja, kryesisht euros.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE