Sot vendimi i GJKKO-së për ndryshimin e masës ndaj Sali Berishës!

vovalbania December 28, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Sot vendimi i GJKKO-së për ndryshimin e masës ndaj Sali Berishës!

Sot në orën 15:00 pritet vendimi i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO mbi kërkesën e SPAK-ut që për Sali Berishën të caktohet masa e sigurisë “Arrest me burg me mbikëqyrje policore”. Avokatët e Berishës sërish kërkuan ndryshimin e gjyqtares Irena Gjoka duke vazhduar me të njëjtën kërkesë që iu refuzua dje. Ish-kryeministri po hetohet për korrupsion pasiv lidhur me privatizimin e klubit sportiv Partizani në Tiranë.

Më 21 dhjetor, me 75 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë autorizoi SPAK-un për arrestimin e  deputetit Sali Berisha, person nën hetim për çështjen e privatizimit të Klubit Sportiv Partizani. Ky zhvillim pasoi refuzimin e Berishës për të respektuar masën e mëparshme “Detyrim për paraqitje”, duke e cilësuar “antikushtetuese”. Autorizimi i Kuvendit iu dërgua SPAK-ut, që Gjykatës së Posaçme i kërkoi “Arrest shtëpie” për ish-kryeministrin.

Vendimin e Kuvendit, në të fundit seancë plenare të vitit 2023 që zgjati pak minuta dhe u shënua nga kaosi, Berisha e quajti “akt të paligjshëm e antikushtetues, sulm politik që kryeministri Rama ka ndërmarrë ndaj tij dhe opozitës”. Paralelisht me seancën, jashtë selisë së Kuvendit mbahej një protestë e mbështetësve të opozitës.

Para votimit të Kuvendit, më 20 dhjetor ishte Gjykata Kushtetuese që vendosi të mos kalonte për shqyrtim në seancë plenare kërkesën e një grupi deputetësh lidhur me masat e sigurisë ndaj Berishës, si dhe interpretimin e nenit të Kushtetutës, ku flitet për arrestimin e deputetit.

Gjykata tha se kërkesa nuk ishte formalisht e rregullt, se grupi i deputetëve nuk legjitimohej për të vënë në lëvizje gjykatën në çështje si konflikti i kompetencave dhe se pretendimet e kërkuesit dhe kërkesa për pezullimin e masave të sigurimit nuk mund të shqyrtohen në themelin e tyre.

Ish-kryeministri Berisha dyshohet se me akte te ndryshme, favorizoi dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e atij trualli, ku janë ndërtuar pallate.

Pas arrestimit në Aeroportin e Rinasit, më 21 tetor, nën dyshimet për korrupsion e pastrim parash, fillimisht ndaj Malltezit u vendos “Arrest me burg”, por më pas Apeli i Posaçëm e ndryshoi masën e sigurisë në “Arrest shtëpie”. Këtë ndryshim, SPAK-u e ka kundërshtuar në Gjykatën e Lartë. Ndërkaq, në fund të nëntorit 2023, atij iu rrëzua kërkesa për heqjen e sekuestros mbi pasuritë e bllokuara.

Me “Detyrim për paraqitje” e “Moslargim nga vendi” është edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, me të cilin Malltezi ishte ortak në ndërtimin e kompleksit të pallateve mbi truallin e ish-klubit Partizani.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48935 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE