Maqedoni e Veriut, Parlamenti shkarkon dy ministra të qeverisë teknike!

vovalbania February 10, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Maqedoni e Veriut, Parlamenti shkarkon dy ministra të qeverisë teknike!

Në mesnatë, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut shkarkoi dy ministra të qeverisë teknike nga radhët e Aleancës për Shqiptarët (ASH) pasi mbështetën propozimin e kësaj partie që në zgjedhjet e majit t’i bashkoheshin bllokut opozitar shqiptar – Lidhja Europiane për Ndryshim.

Shkarkimet e ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe atij të Administratës e Shoqërisë Informatike, Azir Aliu shkaktoi tensione e polemika të shumta mes forcave politike në pushtet dhe në opozitë.

Në arsyetimin e kërkesës për shkarkimin e tyre, kryeministri teknik, Talat Xhaferi tha:

Nuk ka vërejtje për punën dhe profesionalizmin e ministrave Mexhiti e Aliu, por pas bashkimit të tyre me Arben Taravarin duhet të largohen, pasi në qeveri nuk mund të jenë dy subjekte opozitare.

Qeveria teknike me mandat 100 ditor për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare ka në përbërje edhe opozitën maqedonase të udhëhequr nga VMRO-DPMNE/ja.

Mexhiti akuzoi partitë në pushtet se “shkarkimi i tij u bë për interesa politike”.

Pas kësaj qëndron partia Bashkimi Demokratik për Integrim.

Shkarkimi i ministrave pason formimin e qeverisë teknike, më 28 janar. Në vend të tyre, më 12 shkurt pritet të emërohen Ilir Demiri, si ministër i Shëndetësisë dhe Naim Bajrami, si ministër i Administratës dhe Shoqërisë Informatike.

Seanca u thirr nga kryeministri Talat Xhaferi, pasi një komisioni partiak i Aleancës për Shqiptarët (ASH), pjesë e qeverisë teknike, propozoi shkarkimin. Dy ministrat dolën publikisht në mbështetje të kryetarit të ASH-së, Arben Taravari për të kaluar në opozitë.

Por, kjo nxiti reagimin e një pjese të partisë që drejtohet nga ish-kryetari i saj, Ziadin Sela, aktualisht numri një i Kuvendit të këtij subjekti. Për sot, ai ka thirrur Kuvendin për të konstatuar përgjegjësinë, por edhe fillimin e procedurës për shkarkimin e Taravarit nga partia.

Taravari ka theksuar se Sela nuk e ka mbështetjen e anëtarëve të Kuvendit, pasi shumë prej tyre i dhanë mbështetje qëndrimit të tij për të bërë koalicion me opozitën. Përçarja në ASH reflektohet edhe në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

Seanca parlamentare nisi me tre orë vonesë pasi partitë në pushtet nuk arrinin të siguronin numrin e nevojshëm të deputetëve për fillimin e saj, çka u pa edhe me votimin që rezultoi me shumicë të thjeshtë prej 62 deputetësh.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48748 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE