Gjysma e të punësuarve kishin pagë neto deri 44 mijë lekë në korrik-shtator!

vovalbania December 29, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Gjysma e të punësuarve kishin pagë neto deri 44 mijë lekë në korrik-shtator!

Mbi 48% e të punësuarve me pagë në vendin tonë marrin pagë bruto deri në 50 mijë lekë në muaj, teksa pas pagesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përftimi neto në muaj është 44,400 lekë. Me ndërmarrjen e një reforme për rritjen e pagave në sektorin privat, struktura e të punësuarve sipas nivelit të pagës ka ndryshuar duke rritur përqindjen e punonjësve me pagë minimale dhe atyre me paga të larta.

Në tremujorin e tretë të vitit 2023, në totalin e punonjësve me pagë, 28.5 % e totalit të të punësuarve paguheshin me pagë minimale, ndërsa 19.8% merrnin pagë bruto ndërmjet 40-50 mijë lekë në muaj.

Në tremujorin e tretë 2023, zgjerimi i më i madh u vu në kategorinë e punonjësve me pagë minimale atyre me paga 40-50 mijë lekë dhe pagat mbi 120,000 lekë. Kjo kategori zuri 9.2% të totalit të të punësuarve, nga 6.4% që zinte në 3-mujorin e dytë të vitit të kaluar. Pesha e kësaj kategorie në totalin e të punësuarve me pagë u dyfishua në krahasim me vitin 2021 kur zinte vetëm 4.9%.

Rritja e numrit të personave me pagë mbi 120 mijë lekë erdhi për dy arsye. E para, lidhet me uljen e TAP mbi pagat e larta pasi kufiri i tatimit 23% u zhvendos mbi kufirin 200 mijë lekë në muaj, duke ndikuar në uljen e informalitetit në ketë nivel. E dyta, lidhet me rritjen e pagave në Administratën Publike. Në 6-mujorin e parë të këtij viti, qeveria dyfishoi pagat në nivelet e larta të qeverisjes duke ndikuar kështu që më shumë punonjës në administratë të marrin mbi 120 mijë lekë në muaj.

Personat që marrin pagë minimale deri në 40 mijë lekë në muaj përbëjnë 28.5% të të punësuarve me pagë, nga 15.8% që ishte vitin e kaluar në tremujorin e tretë. Ky zgjerim erdhi nga rritja e pagës minimale nga 320 mijë lekë në tremujorin e tretë të vitit 2022, në 40 mijë lekë aktualisht.

Punonjësit më pagë minimale zënë gati një të tretën e të punësuarve me pagë, por kategoria e dytë më e madhe janë ato që marrin pagë bruto 60-95 mijë lekë në muaj, duke zënë 26% të totalit të të punësuarve nga 24.7% që ishte pesha e kësaj kategorie vitin e kaluar në tremujorin e tretë.

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të tretë 2023, është 71.486 lekë, duke u rritur me 16%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2023, paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Administratës Publike dhe Mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 18,6%, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit prej 11,4 %./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48729 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE