Stuhitë ‘shkatërrojnë’ shtëpitë buzë detit, njerëzit dhe banesat vendosen në rrezik

vovalbania December 30, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Stuhitë ‘shkatërrojnë’ shtëpitë buzë detit, njerëzit dhe banesat vendosen në rrezik

Buldozerët ndërtuan pengesa gjigante rëre të premten për të mbrojtur shtëpitë buzë detit në një nga qytetet e Kalifornisë, të goditur rëndë këtë javë nga dallgët e jashtëzakonshme të krijuara nga stuhitë në Oqeanin Paqësor.

Dhjetëra njerëz ndoqën ndërtimin e barrierave emergjente në një zonë të qytetit Ventura, ku një valë e madhe të enjten goditi njerëzit dhe automjetet që ishin buzë oqeanit ndërsa përshkoi plazhin dhe u fut në një lagje.

“Kemi pasur valë të mëdha më parë, por kurrë si kjo”, tha Karris Kutivan, i cili banon prej nëntë vitesh në qytetin piktoresk bregdetar, rreth 97 kilometra në veriperëndim të qytetit Los Anxhelos.

“Çka kuptova nga kjo situatë është se dua të jetojë afër plazhit, por jo në plazh”, tha zoti Kutivan.

Tetë persona u dërguan në spitale për trajtimin e lëndimeve pas incidentit të goditjes nga vala e furishme të enjten, sipas autoriteteve të qarkut Ventura, të cilët i mbyllën plazhet dhe portet deri më 31 dhjetor.

Valë të ngjashme pushtuan edhe plazhe të tjera të enjten në brigjet e Kalifornisë, duke përmbytur parkingje, rrugë dhe duke nxitur paralajmërime evakuimi për zonat e ulëta.

Valët ishin pak më të ulëta të premten, por Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se të shtunën do të kthehen paralajmërimet për një raund tjetër të kushteve jashtëzakonisht të rrezikshme për ata që preferojnë të bëjnë sport në valët e oqeanit.

Zyra e motit në zonën e Los Anxhelosit shkroi se ciklonet e fuqishme mbi ujërat veriore të Paqësorit po krijonin valë nga 3.6 deri në 5 metra të larta, duke krijuar “energji të jashtëzakonshme të valëve nëpër ujërat bregdetare”.

Në disa zona përgjatë Kalifornisë, dallgët parashikohet të shkojnë deri në 7.6 metra. Baticat e larta astronomike po shtojnë një rrezik të konsiderueshëm për më shumë përmbytje bregdetare, thanë hulumtuesit e motit.

“Në përgjithësi, kjo pritet të jetë një ngjarje e jashtëzakonshme e përmbytjeve të larta dhe bregdetare që nuk ka ndodhur për shumë vite”, shkroi shërbimi i motit./

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48745 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE