Blinken, turne në Lindjen e Mesme për të frenuar përhapjen e luftës Izrael-Hamas!

vovalbania January 04, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Blinken, turne në Lindjen e Mesme për të frenuar përhapjen e luftës Izrael-Hamas!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken të enjten fillon një turne në Lindjen e Mesme, i cili do të përfshijë një ndalesë në Izrael, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë konsultimet diplomatike mbi konfliktin Izrael-Hamas, tha të mërkurën një zyrtar i lartë amerikan.

Zyrtari, duke informuar gazetarët në kushte anonimiteti, tha se i dërguari diplomatik i Shteteve të Bashkuara, Amos Hochstein do të udhëtojë gjithashtu në Izrael për të punuar për uljen e tensioneve midis Izraelit dhe Hezbollahut.

Sekretari Blinken niset të enjten në mbrëmje për takime në një numër vendesh të rajonit, duke përfshirë Izraelin.

Sipas mediave turke, Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan u tha gazetarëve se Sekretari Blinken do të zhvillojë takime me zyrtarët e Turqisë të shtunën. Turneu i zyrtarëve të lartë amerikanë në Lindjen e Mesme vjen në një kohë kur rreziku për një përshkallëzim rajonal të konfliktit u rrit pas vrasjes së zyrtarit të lartë të Hamasit, Saleh al-Arouri në Bejrut të martën.

Ushtria izraelite tha se ishte në gatishmëri të lartë për sulme të mundshme të grupit militant libanez Hezbollah. Vendimi për rritjen e gatishmërisë së ushtrisë izraelite pason njoftimet për një sulm me dron në Bejrut, në të cilin u vra Saleh al-Arouri, i cili ishte i lidhur ngushtë me Sekretarin e Përgjithshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Në një fjalim televiziv, Hasan Nasrallah tha se do të ketë një “përgjigje dhe ndëshkim”, por ai nuk deklaroi qartë se forcat e tij do të përshkallëzonin sulmet kundër Izraelit.

Shtetet e Bashkuara që nga 7 tetori i kanë dërguar një mesazh shumë të drejtpërdrejtë Hezbollah-ut dhe grupeve të tjera në rajon se tani nuk është koha për të menduar për përshkallëzim të mëtejshëm.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50142 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE