Temperatura të ulëta në Korçë e Gjirokastër, ARRSH monitoron situatën e akseve rrugore!

vovalbania January 08, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Temperatura të ulëta në Korçë e Gjirokastër, ARRSH monitoron situatën e akseve rrugore!

Temperaturat e ulëta kanë përfshirë gjithë vendin. Në Korçë dhe fshatrat e saj, reshjet e dëborës kanë mbuluar rrugët. E rëndë paraqitet situata në akset e rrugëve të zonave të thella malore.

E ndërkohë janë hasur probleme sa i takon energjisë elektrike. 150 familje të fshatrave të njësisë administrative Lekas janë pa energji.

Pa energji elektrike janë edhe 169 familje në 5 fshatra të njësisë administrative Dardhas në Bashkine e Pogradecit dhe 170 familje po me të njëjtin problem, në fshatra të bashkisë së Kolonjës.

Shkodra prej dy ditësh është përfshirë nga reshjet e shiut. Ndërkohë në Qafën e Thorës, segmenti rrugor është i mbuluar nga dëbora.

ARRSH i ka bërë thirrje kujtdo që të tregohen të kujdesshëm, teksa në terren grupet e punës janë duke bërë pastrimin nga rënia e gurëve apo inerteve në trup të rrugës.

Sipas ARRSH-së, në akset rrugore Korçë-Dardhë, në Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë, në Valbonë nga km 20 ka pasur reshje dëbore me intensitet mesatar.

Dëbora e madhe në zonën e Mashkullorës një ditë më parë ka bllokuar dy mjete xhipa të cilët kanë tentuar të kalonin në zonë për të shkuar në Korçë.

Njëri nga xhipat kishte rrëshqitur dhe kishte rënë në një kanal duke u bllokuar. Brenda tij kanë qenë një familje prej 5 anëtarësh të cilët ja dolën të dalin nga mjeti pa u lënduar.

Ndërsa xhipi i dytë ku udhëtonin 13 persona të tjerë ka arritur që me vështirësi të kthehet nga rruga dhe bashkë me familjen prej 5 personash u kthyen sërish në fshatin Panarit.

Ndërkohë që edhe borëpastruesja e cila shkoi për të hapur rrugën dhe lëvizur mjetet një ditë më parë u bllokua në zonë nga bora dhe stuhia e erës. Vetëm ditën e sotme me 2 borëpastruese të tjera është bërë e mundur hapja e vendit dhe zhbllokimi i mjetit xhip dhe borëpastruese të bllokuara dje.

Jo vetëm në Shqipëri por, dëbora dhe i ftohti ekstrem në Evropë vazhdojnë t’u komplikojnë jetën mijëra qytetarëve në kontinent, si në veri edhe në jug.

Suedia regjistroi temperatura deri në minus 43.6 gradë Celsius, më e ulëta që prej 1999-s. Ndërsa në Danimarkë, ato ranë në minus 20 gradë, duke shkaktuar probleme me trafikun rrugor.

Mëngjesin e së hënës, kompanitë e asistencës së automjeteve morën mbi 2 mijë kërkesa për ndihmë nga drejtuesit e mjeteve.

Po të hënën, dëbora dhe temperaturat nën zero shkaktuan probleme edhe në Moldavi, duke detyruar autoritetet në kryeqytetin Shisinau të mbyllin shkollat dhe të pezullojnë transportin publik.

Gjithashtu, policia ka paralajmëruar drejtuesit e mjeteve që të përdorin zinxhirë teksa kalojnë në rrugët me ngrica.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49667 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE