Gërdeci, përballja Mediu-Pinari në gjykatë/Ish-drejtori i MEICO-s: Të ribëhet ekspertimi!

vovalbania January 10, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Gërdeci, përballja Mediu-Pinari në gjykatë/Ish-drejtori i MEICO-s: Të ribëhet ekspertimi!

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO-s, ndërmarrjes shtetërore të shitjes së municioneve në Ministrinë e Mbrojtjes sot u përballën në seancën gjyqësore të radhës për çështjen Gërdeci. Pinari u pyet nga Mediu nëse kishte dijeni që ish-ministri njihej me Mihal Delijorgjin.

Ylli Pinari: Këtë s’e dini ju, nga ta di unë…

Fatmir Mediu: A dini që kam qenë unë në Gërdec?

Ylli Pinari: Atë e dini ju, në dijeninë time, jo. Patrick Henry ka bredhur në shumë reparte ushtarake. Mund të ketë qenë edhe në Gërdec.

Fatmir Mediu: Ku shkonte baruti i evaduar?

Ylli Pinari: Rreth 200-300 ton barut është kontraktuar nga një kompani në Belgjikë e është çuar një anije me këtë ngarkesë. Pritej edhe një anije e dytë për të eksportuar barutin tjetër të evaduar. Kam tentuar dy herë të futem në Gërdec, nuk më kanë lejuar të futem pasi duhej leje e posaçme. Ishin dy herë që më ra rruga nga Rinasi kur tentova.

Pinari shtoi:

MEICO ishte pika e parë e kontaktit për të blerë stokun e jashtëzakonshëm të municionit që kishte ushtria. Në vitin 2002, falë një vendimi të qeverisë u listuan nëpër panaire mallra, municione që të shiteshin. Patrick Henry ka ardhur në fillim të vitit 2006. Na ka prezantuar një projekt të tij për të bërë demontim industrial duke ofruar teknologjinë që kishte. Demonstroi makineritë që dispononte. Ishte i interesuar për gëzhojat që kishin material tunxhi. Kërkonte të dhënat për këto municione në listën prej 102 tonësh që i kishte vënë në dispozicion për të shkatërruar apo demontuar ushtria. Janë këmbyer rreth 10-12 e-maile, për mënyrën si do bëhej ky proces.

Patrick thoshte: ju po i digjni kot këto municione sepse mund t’i shisni. Ka vizituar repartet ushtarake duke propozuar të mos digjeshin, por t’i viheshin në dispozicion ato me tunxh, që ai të mund t’i demontonte. Ka qenë vera e 2006-ës kur MEICO i paraqiti propozimin Ministrisë së Mbrojtjes. Në një dokument të 27 dhjetorit 2006, zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MM, i kërkon MEICO-s një situatë mbi interesin e shitjes së këtyre municioneve. Patrick përmendi edhe një kompani të krijuar nga vetë ai “Albademil” me ortakë Patrick Henry e Mihal Delijorgji. Këtë të fundit e njoh prej vitit 1993. Si janë vetë ata nuk e di, nuk refuzoj t’i përgjigjem pyetjeve, por nuk e mbaj mend pasi ka kaluar kohë e gjatë.

Kam vuajtur 4 vjet burg për këtë çështje. Kam rezervat e mia për atë proces gjyqësor. Patrick Henry-t i interesonte gëzhoja e tunxhit që në MM ishin raportuar 400 milion të tilla. Si është përzgjedhur kompania amerikane SAC, nuk është bërë nga ne e as nga MM, por nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Shumë fishekë me gëzhoja tunxhi të raportuara, rezultuan se ishin të veshura dhe u refuzuan nga SAC. Nga parashikimi fillestar prej 400 milion fishekësh rezultuan më pak.

Ishte menaxhim skandaloz i ushtrisë. Urdhri që doli nga FA, kishte devijim VKM-ja, na detyronte që transporti të paguhej nga MEICO, urdhër absurd i FA. Pavarësisht se transporti vijonte, në MEICO nuk ka ardhur asnjë faturë.

Unë mendova që kjo do ta shkatërronte MEICO-n dhe nuk kemi bërë reagim te MM, s’kemi pyetur fare si është përcaktuar pika e demontimit në Gërdec. Nuk e di nëse MM ishte apo jo në dijeni të “Albademil”.

Kur u bë kontrata me SAC, i kam kërkuar specialistëve licensën. Ky aktivitet demontimi as në Amerikë nuk licensohej dhe deri në vitin 2009, ky lloj aktiviteti nuk parashikohej në legjislacionin shqiptar. Edhe në Poliçan, Gramsh e Mjekës, demontimi bëhej me urdhër të shtabit. Ky i fundit bënte inspektimin, por nuk kishte licencë. Në atë periudhë po punonim për hartimin e një ligji për licencimin e kompanive demontuese.

Në prill 2023, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e prokurorisë për gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për dosjen Gërdeci. SPAK-u rihapi çështjen ndaj Mediut, pas kërkesës së familjes Durda, që humbi një fëmijë nga shpërthimi në depon e municioneve në Gërdec, ku më 15 mars 2008 mbetën të vrarë 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë. Ish-ministri akuzohet për “Shpërdorim të detyrës”.

Ish-drejtori i kompanisë, MEICO kërkoi të ribëhet eksperimentimi për shpërthimet në Gërdec, me qëllim zbardhjen e shkaqeve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50585 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE