‘Situata me fasonët, e dhimbshme’, Rama: Koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës, ka vdekur!

vovalbania January 13, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
‘Situata me fasonët, e dhimbshme’, Rama: Koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës, ka vdekur!

“Koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues në treg ka vdekur prej kohësh”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në përurimin e Shtëpisë së Biznesit te Piramida. Sipas kreut të qeverisë, kjo nuk lidhet me euron, ndërsa kush e ka kuptuar ka marrë masat për t’u adaptuar.

“Një temë e dhimbshme. Situata e industrisë fasone në Shqipëri. Kjo ditë do vinte dhe nuk lidhet thjesht me euron. Është gabim. Është qasje komplet e gabuar ta shohësh këtë si një ditë që e solli forcimi i lekut dhe situata e re që kjo ka krijuar me euron. Jo! Kjo ditë do të vinte sepse koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues në treg ka vdekur prej kohësh. E kush e ka kuptuar prej kohësh që ajo kohë ka vdekur, në atë industri ka marrë masat për t’u adaptuar. Kush nuk e ka kuptuar apo kush nuk i ka marrë masat për t’u adaptuar, sot e ka të pamundur të mbijetojë”.

Dhe në këto kushte shprehet, kryeministri, qeveria nuk mund të përdorë taksat për të zgjatur agoninë e një organizmi që nuk e kthen dot më në jetë. Por zgjidhja sipas tij është adaptimi.

“Në këto kushte, t’i kërkosh qeverisë të të japë serume, është gabim. Pse? Sepse nuk ka serum që të shpëton dhe nga ana tjetër, qeveria nuk mund të përdorë taksat për të zgjatur agoninë e një organizmi që nuk e mban dot, nuk e kthen dot më në jetë. Është një vdekje klinike e sigurt, por nuk është pa zgjidhje as për sipërmarrësit, as për personat. Zgjidhja është të adaptohesh! Të ndryshosh lojën! Të qasesh me qartësi dhe me forca të reja në një treg që është tjetër. Mjafton të shikosh ata që e kanë bërë këtë gjë, se fatmirësisht sot jemi në kushtet kur mund t’i lidhim fjalët me shembujt, pra nuk është diçka që e kemi ne të diskutuar teorikisht. Dhe nuk është as diçka që ne e kemi parë në vende të tjera dhe po themi hajdeni bëjeni dhe ju këtu. Jo! Është diçka që këtu ka aktorë të kësaj industrie që e kanë bërë dhe që janë sot konkurrues”.

Sa u përket grave në Devoll që kanë humbur punën për shkak të mbylljes së biznesit fason, Rama foli për një mundësi të re të tyre.

“Ne duhet si qeveri të shikojmë çfarë do t’ju ofrojmë ne atyre grave në Devoll që në rast se mbyllet një fabrikë sepse nuk ka bërë dot adaptimin, nuk ka futur dot elementë të tjerë për të përballuar këtë goditje, atëherë këta njerëz të kenë një mundësi të re dhe mundësia e re do të thotë që t’ju japim mundësinë që t’i përshtaten tregut e të përfshihen në të tjera aktivitete të kësaj ekonomie. Kjo është mundësia e re. Nuk është mundësia e re që t’i japim lekë nga buxheti për të mbajtur punëtorë në shtëpi, ndërkohë që fabrika është mbyllur dhe e sjell këtë shembull, sepse kjo po i ndodh sot një industrie që nuk arriti e gjitha të adaptohej me sfidën, por kjo mund t’i ndodhë nesër të gjithëve ju që jeni këtu, të gjithëve, pa përjashtim. Mund të ndodhi nesër në momentin kur ne bëhemi pjesë integrale e sistemit europian, sepse konkurrenca nuk është më me njëri-tjetrin, por konkurrenca është me të ngjashmit tuaj sipas sektorëve në një histori shumë më të gjatë, në një traditë shumë më të fortë me dituri shumë më të mëdha e të tjera. Tjetra, dhomat e tregtisë. I kemi rënë vërdallë e vërdallë të paevitueshmes, sepse është një gjë që nuk imponohet dot e gjitha nga lart dhe prandaj kemi pritur që të piqen disa kushte që vetë komuniteti të kuptojë që kjo mënyrë organizimi ku secili bashkë me tre shokë bën Dhomën e vetë, është Bathorja e sipërmarrjes. Ne këtë e kemi bërë me të gjitha gjërat në vitet e lirisë, në kërkim të demokracisë” tha Rama.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE