Turqia arreston futbollistin izraelit që shprehu mbështetje për pengjet në Gaza!

vovalbania January 15, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Turqia arreston futbollistin izraelit që shprehu mbështetje për pengjet në Gaza!

Autoritetet turke arrestuan futbollistin izraelit, Sagiv Jehezkel, lojtar i klubit të futbollit, Antalyaspor. Sipas tyre, ai do të merret në pyetje pasi gjatë një ndeshjeje në ligën turke shfaqi solidaritetin me njerëzit që po mbahen pengje nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

Ministri i Drejtësisë, Yilmaz Tunc, tha se ky shtetas po hetohet lidhur me dyshimet për “nxitje të hapur publike për urrejtje dhe armiqësi”. Përmes një postimi në X,  Tunc tha se “Jehezkel ishte përfshirë në një gjest të shëmtuar, në mbështetje të masakrës izraelite në Gaza”.

Pasi shënoi golin e barazimit kundër klubit Trabzonspor, futbollisti 28-vjeçar shfaqi një fashë të lidhur në kyçin e dorës ku shkruhej se janë bërë 100 ditë që kur pengjet u rrëmbyen më 7 tetor.

Ky gjest u vlerësua si provokues në Turqi, vend ku ka një kundërshtim të madh të hapur ndaj veprimeve ushtarake të Izraelit në Gaza dhe ku gjithashtu ka një mbështetje të madhe për palestinezët.

Antalyaspor e ka pezulluar Jehezkelin nga ekipi e njoftoi se po bisedohet me avokatët e klubit për të shkëputur kontratën me futbollistin izraelit.

Federate turke e Futbollit dënoi atë që e cilësoi si gjest që “turbulloi ndërgjegjen” e publikut turk. Por, arrestimi i Jehezkelit ka nxitur zemërim në Izrael.

Turp për Qeverinë turke, ka shkruar në platformën X, ish-kryeministri izraelit, Naftali Bennet.

Turqia ka kritikuar Izraelin për ofensivën e tij në Rripin e Gazës. Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi pasi më 7 tetor radikalët palestinezë sulmuan jugun e Izraelit duke vrarë 1 mijë e 200 persona dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj përmes një ofensive tokësore, ajrore e detare. Deri tani janë vrarë më shumë se 23 mijë palestinezë.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka vënë në dukje se Hamasi nuk është organizatë terroriste, por një grup që lufton për çlirimin dhe mbrojtjen e tokave palestineze.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49457 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE