Censi i popullsisë/ Dhuli: Të dhënat do të publikohen në qershor!

vovalbania January 16, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Censi i popullsisë/ Dhuli: Të dhënat do të publikohen në qershor!

Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli ka dhënë një konferencë për mediat lidhur me procesin e Censit. Dhuli tha se të dhënat do jenë gati për publikim në qershor, të cilat do japin informacione lidhur me demografinë, ekonominë, arsimin apo shëndetësinë.

“Do jenë gati për publikim në qershor. Të dhënat do përmban informacione mbi demografinë, ekonominë, arsimin, shëndetësinë, duke ofruar statistika për grupet e përdorimit. Bazë e fortë për planifikimin e politikave publike dhe do ndihmojnë në zhvillimin e programeve për lehtësimin e jetesës së qytetarëve”, u shpreh Dhuli.

Dhuli pranoi se ka pasur raste kur qytetarët kanë refuzuar të plotësojnë pyetësorin, por nuk konfirmoi për gjoba të vendosura pasi ende po analizohet procesi.

“Për një numër të sajtë nuk mund ta them, kemi pasur raste të refuzimeve, në nivele minimaliste. krahasuar me vitet e mëparshme janë të vogla pasi ka qenë fushatë ndërgjegjësimi e madhe. Madje, kemi pasur raste të shumta në numër ku qytetarët kërkonin të bëheshin pjesë. Lidhur me gjobat, duhet ta analizojmë procesin, pastaj mund të fillojmë me procese të mëtejshme”, tha Dhuli.

Në terren kanë qenë 7500 anketues.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 është Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) për raundin e vitit 2020 të Censeve dhe gjithashtu me rregulloret e fundit të BE-së për zbatimin Censit të Popullsisë dhe Banesave.

Censi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë. Në mënyrë të ngjashme, Censi i banesave ofron  numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48785 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE