Takimi me Gjiknurin dhe Alibeajn, kryetarja e Prezencës së OSBE-së: Mirëpres rifillimin e punës për Reformën Zgjedhore dhe përshpejtimin e saj!

vovalbania January 16, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Takimi me Gjiknurin dhe Alibeajn, kryetarja e Prezencës së OSBE-së: Mirëpres rifillimin e punës për Reformën Zgjedhore dhe përshpejtimin e saj!

Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory ka reaguar pas takimeve me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknurin dhe Enkelejd Alibeajn.

Në një postim në rrjete sociale ajo thekson se mirëpret rifillimin e punës të premten për Reformën Zgjedhore dhe përshpejtimin e saj javët e ardhshme, me ndihmë e ekspertizës nga OSBE-ODIHR.

“Takova sot b/kryetarët e komisionit të ref. zgjedhore @DGjiknuri @enkelejdalibeaj. Mirëpres rifillimin e punës të premten & përshpejtimin e saj javët e ardhshme, me ndihmë e ekspertizë nga @osceinalbania& @OSCE/odihr. Vijojmë takimet gj/përfshirëse për këtë reformë të rëndësishme“, shkruan ajo.

Nga ana tjetër, këtë pasdite reagoi edhe Enkelejd Alibeaj, i cili theksoi se për Partinë Demokratike Reforma Zgjedhore përbën prioritetin kryesor.

“Sot pata kënaqësinë të mirëprisja në një takim Ambasadoren në Detyrë të Prezencës së OSBE/ODIHR në Shqipëri Znj. Clarisse Pasztory sëbashku me një delegacion, për të bashkëbiseduar mbi procesin e Reformës Zgjedhore, i cili mbetet jetik për demokracinë e vendit.

Në cilësinë e bashkë-kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore i shpreha konsideratën për mbështetjen permanente të Prezencës së OSBE në Shqipëri mbi procesin e Reformës Zgjedhore, në përputhje me frymën e parimeve kushtetuese, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Po ashtu, i sigurova se për Partinë Demokratike të Shqipërisë, Reforma Zgjedhore përbën prioritetin kryesor i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent për shqiptarët, në mënyrë që t’i garantohet qytetarëve shqiptarë një proces zgjedhor i lirë dhe i drejtë, nëpërmjet listave të hapura, një zonë kombëtare zgjedhore, votim për qytetarët shqiptarë në diasporë dhe proces votimi dhe numërimi elektronik.

Gjithashtu e falenderova Znj. Pasztory për konsistencën në mbështetjen e vazhdueshme të Prezencës së OSBE në Shqipëri mbi Reformën Zgjedhore dhe për ofrimin e vyer të asistencës teknike në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore”, sipas Alibeajt.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48684 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE