Çështja Beleri përplas Italinë me Greqinë në Bruksel/Kathimerini zbulon prapaskenat!

vovalbania January 18, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Çështja Beleri përplas Italinë me Greqinë në Bruksel/Kathimerini zbulon prapaskenat!

Me titullin: Një “Jo” greke për Shqipërinë, gazeta Kathimerini i referohet një takimi në Bruksel, për një sërë marrëveshjesh të mbrojtjes dhe sigurisë me vendet brenda dhe jashtë Europës. Pala greke shprehu kundërshtime për Shqipërinë, si një vend për të cilin dëshiron të anëtarësohet në BE, por me kushtin që të zbatojë të drejtën europiane, që si element kryesor përfshin respektimin e shtetit të së drejtës.

Ky ndërlikim në politikën e mbrojtjes së hartuar nga BE, vjen si rrjedhojë e qëndrimit të Shqipërisë për rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Në këtë kontekst, Athina bëri një kundërpropozim. Për të lidhur marrëveshje të mbrojtjes dhe sigurisë me BE-në, si shtetin më të përshtatshëm cilësoi Maqedoninë e Veriut e që sipas saj, ka treguar performancë më të mirë në fushën e sundimit të ligjit. Ndër të tjera vlerësoi se edhe standardizimi i forcave të armatosura sipas niveleve perëndimore (përmes anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO) ka përparuar me ritëm jashtëzakonisht të shpejtë.

Propozimi grek nuk u pranua dhe nuk u shqyrtua as çështja e Shqipërisë, pavarësisht mbështetjes shumë të fortë nga Italia, partnerja më e ngushtë e Tiranës në BE, çka sipas gazetës greke, “e sjell Romën në fërkime me Athinën, veçanërisht për shkak të ngërçit të krijuar nga këmbëngulja e qeverisë Rama në çështjen Beleri”.

Marrëveshjet e partneritetit të BE-së me vendet e treta nuk janë zhvillim i ri, por pjesë e kuadrit më të gjerë të Busullës Strategjike për vitin 2030, një horizont kohor që do të gjykojë aftësinë e Europës për të luajtur apo jo rol në zhvillimet gjeopolitike.

Niveli i tretë i këtij programi, që me Afrikën e Amerikën Latine përfshin edhe Ballkanin Perëndimor, kryesisht ka bashkëpunim në misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë e Mbrojtjes, si edhe zhvillimin e aftësive të përbashkëta.

Me pak fjalë është një përpjekje e BE-së për të fituar partneritet mbrojtës me vendet e Ballkanit Perëndimor, derisa (dhe nëse) të arrijnë të integrohen plotësisht në strukturat e Unionit.

Këto diskutime janë në një fazë fillestare. Për shkak të bashkëpunimit ekzistues të mbrojtjes së shumicës së vendeve të BE-së me shtete si Shqipëria nëpërmjet NATO-s, nuk krijojnë asnjë problem praktik, të paktën në këtë fazë. Por, ky zhvillim është tregues i qëndrimit parimor që Greqia synon të mbajë në lidhje me vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në BE.

Sipas gazetës “Kathimerini”, më 25 janar pritet të rifillojë gjyqi i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, ndërsa në prapaskenë vazhdojnë kontaktet, “gjithmonë me kushtin e nevojshëm që Beleri të betohet në detyrën e kryebashkiakut”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51125 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE