Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Gjykata Kushtetuese shprehet e rezervuar!

vovalbania January 18, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Gjykata Kushtetuese shprehet e rezervuar!

Gjykata vendosi të rezervohet për t’u shprehur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor për kërkesën e grupit të deputetëve demokratë për marrjen e opinionit këshillimor nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut për marrëveshjen e emigrantëve mes Italisë dhe Shqipërisë.

Në njoftimin e dhënë për mediat në përfundim të seancës së sotme, Gjykata Kushtetuese shprehet se ka kërkuar Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë i vitit 1995, për të vlerësuar nëse marrëveshja e firmosur në Itali mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes Giorgia Meloni është në përputhje me këtë Traktat.

“Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata konstatoi se subjekti i interesuar Këshilli i Ministrave ka prapësuar se Protokolli i Bashkëpunimit është lidhur bazuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë i vitit 1995. Në këto rrethana, Gjykata bazuar në nenin 44/a të ligjit organik të saj vlerësoi se shqyrtimi i këtij Traktati është i nevojshëm për hetimin e plotë të çështjes, ndaj vendosi t’i kërkojë Këshillit të Ministrave paraqitjen e kësaj prove”, thuhet në njoftim.

Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese vendosi që seanca plenare e radhës të zhvillohet në datën 24 janar në orën 11:30.

Disa ditë më parë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për marrjen e një opinioni këshillimor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për zbatimin e të drejtave dhe lirive të parashikuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Protokollin ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”.

Njoftimi i plotë:

1.      Sot në datën 18.10.2024, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve kërkesën e paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (kërkuesi), me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi. Pezullimi i procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit””.

2.      Gjykata mori në shqyrtim pretendimet me shkrim të kërkuesit, prapësimet me shkrim të subjekteve të interesuara Kuvendi i Shqipërisë (Kuvendi), Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë (Këshilli i Ministrave) dhe Avokatit të Popullit si edhe provat e paraqitura nga keto subjekte, ndersa konstatoi mungesën e prapësimeve me shkrim të Presidentit të Republikës.

3.      Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata konstatoi se subjekti i interesuar Këshilli i Ministrave ka prapësuar se Protokolli i Bashkëpunimit është lidhur bazuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë i vitit 1995. Në këto rrethana, Gjykata bazuar në nenin 44/a të ligjit organik të saj vlerësoi se shqyrtimi i këtij Traktati është i nevojshëm për hetimin e plotë të çështjes, ndaj vendosi t’i kërkojë Këshillit të Ministrave paraqitjen e kësaj prove dhe për këtë shkak, seanca plenare e radhës do të zhvillohet në datën 24.01.2024, ora 11.30.

4.      Sa i takon kërkesës së grupit të deputetëve për marrjen e opinionit këshillimor nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Gjykata vendosi të rezervohet për t’u shprehur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49611 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE