OKB akuza Izraelit për ndalimin dhe keqtrajtimin e mijëra palestinezëve!

vovalbania January 20, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
OKB akuza Izraelit për ndalimin dhe keqtrajtimin e mijëra palestinezëve!

Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) akuzoi Izraelin për ndalimin e mijëra palestinezëve në vendndodhje sekrete në Gaza e në Bregun Perëndimor, si dhe për keqtrajtimin e tyre, veprime që mund të jenë edhe akte torture.

Duke folur përmes një lidhjeje video me gazetarët në Gjenevë, përfaqësuesi i OHCHR-së në Territoret e Pushtuara Palestineze, Ajith Sunghay, tha se ka takuar një numër të ndaluarish që ishin liruar, të cilët i treguan se janë mbajtur nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit nga 30 deri në 35 ditë.

Shqyrtimi i plotë i numrave ka qenë jashtëzakonisht i vështirë, por kemi dëgjuar se arrijnë në mijëra.  Ata përshkruan si janë rrahur, poshtëruar dhe keqtrajtuar. Shumë prej tyre përbëjnë torturë. Ka raportime të burrave që janë liruar më pas, por vetëm me bebelina, pa veshje të përshtatshme në këtë mot të ftohtë.

Të liruarit raportuan se ishin mbajtur me sytë e lidhur për periudha të gjata, disa prej tyre për disa ditë me radhë. Shumica thanë se i morën në një moment brenda në Izrael, por nuk mund të thonin konkretisht se ku.

Zëdhënësja e OHCHR-së, Ravina Shamdasani, tha se agjencia e saj ka komunikuar me autoritetet izraelite lidhur me akuzat për abuzime.

I kemi ngritur shqetësimet tona me autoritetet izraelite për keqtrajtimet, të cilat do të ishin torturimi në mënyrë të përsëritur i të ndaluarve në territoret e pushtuara palestineze, përpara dhe pas 7 tetorit. Fatkeqësisht nuk kemi marrë ndonjë përgjigje.

Zëri i Amerikës kontaktoi misionin izraelit në Gjenevë për një reagim, por nuk mori përgjigje.

Grupi militant Hamas sulmoi Izraelin jugor më 7 tetor, vrau rreth 1200 persona, kryesisht izraelitë dhe mori peng afro 250 të tjerë. Sulmi brutal shkaktoi një përgjigje të ashpër nga forcat izraelite, të cilat sipas ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi kanë vrarë më shumë se 24 mijë persona, 70% prej tyre gra e fëmijë, si dhe kanë plagosur të paktën 60 mijë të tjerë.

OHCHR thotë se Izraeli duhet të sigurohet që të gjithë të arrestuarit ose të ndaluarit të trajtohen në përputhje me normat ndërkombëtare dhe standardet e ligjit humanitar. Po ashtu, të hetohen të gjitha rastet e abuzimit.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë, UNRWA, vlerëson se 1.7 milion njerëz janë zhvendosur brenda vendit, shumica e tyre të grumbulluar në vend-strehime të improvizuara e të mbipopulluara në Gazën jugore.

Spitalet në situatë të rëndë

Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se vetëm 15 nga 36 spitalet e Gazës janë pjesërisht funksionale dhe se ato që janë të hapura vuajnë nga mungesa ekstreme të barnave, furnizimeve e personelit.

Për shkak të mungesës së aksesit në spitale, 60 mijë gra shtatzëna janë në rrezik që të mos marrin kujdesin e duhur në rast të komplikacioneve. Qindra raste abortesh dhe lindjesh të parakohshme janë raportuar që nga fillimi i luftimeve.

Izraeli hedh poshtë kritikat se forcat izraelite të mbrojtjes kanë objektiv civilët palestinezë me sulmet në spitalet në Gaza.

Në një konferencë shtypi, më 27 tetor 2023, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, kundëradmirali Daniel Hagai tha:

Në këtë luftë, të gjitha opsionet janë në tryezë. Hamasi i ka kthyer spitalet në qendra komandimi, kontrolli dhe strehimi për terroristët dhe komandantët e Hamasit.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se Izraeli bastisi spitalin Al-Shifa më 15 nëntor, ku tha se në spitalin më të madh të Gazës gjeti një qendër komandimi, si dhe armë e pajisje luftarake që i përkisnin Hamasit./Zëri i Amerikës

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49597 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE