Prefektura Korçë: Kujdes me lëvizjen në rrugët me dëborë!

vovalbania January 20, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Prefektura Korçë: Kujdes me lëvizjen në rrugët me dëborë!

Në çdo bashki të qarkut Korçë, strukturat e emergjencave civile, ekipet me mjetet e tyre borëpastruese, si edhe të subjekteve të kontraktuara janë në gatishmëri të plotë në të gjithë qarkun, për shpërndarjen e kripës dhe heqjen e borës që ka përfshirë rajonin juglindor të vendit. Kjo bëhet e ditur nga prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole, i cili apelon që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar. Duhet të jenë pajisur me gomat dimërore e të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën, si edhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore:

Gjithashtu, strukturat do të qëndrojnë në monitorim të vazhdueshëm të çdo aksi rrugor, për të garantuar që qarkullimi të kryhet pa probleme. Në kushtet e borës dhe të temperaturave të ulëta, drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit drejt qarkut tonë e të jenë të pajisur me goma dimërore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën e udhëzimet e Policisë Rrugore.

Por, intensifikimi i reshjeve të dëborës nuk i ka frenuar frekuentuesit e zonave turistike në juglindje, as këtë fundjavë. Prefekti Jole shtoi:

Qarku ynë edhe gjatë kësaj fundjave, pavarësisht kushteve të motit, ngelet destinacion i preferuar dhe këtë e dëshmojnë rezervimet në strukturat mikpritëse në Korçë, Voskopojë, Dardhë, Pogradec, Kolonjë, etj.

Moti parashikohet me vranësira të dendura, shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme. Në periudha afatshkurtra, përgjatë Ultësirës Perëndimore janë me intensitet deri të lartë, shoqëruar me shkarkesa elektrike e breshër.

Në relievet malore në verilindje e në juglindje ka reshje dëbore me intensitet të ulët e mesatar. Në periudha afatshkurtra, janë në formën e stuhive, si dhe shtrëngatave. Në momentin e reshjeve me intensitet, reduktohet shikimi ndaj duhet patur kujdes në rrugë. Temperaturat variojnë nga minus 2 në 17 gradë celcius.

Ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave, IGJEO parashikuan se në juglindje të vendit, në lartësitë mbi 300 m nga niveli i detit, sot reshjet do të jenë në formë dëbore. Ndërsa për nesër, në datë 21 janar parashikohet ndërprerja e reshjeve te shiut, por priten ngrica të forta, kryesisht në zonat malore.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49284 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE