Qarku Shkodër, Bogë-Qafë Thore dhe Fushë Arrëz-Iballë të bllokuara!

vovalbania January 20, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Qarku Shkodër, Bogë-Qafë Thore dhe Fushë Arrëz-Iballë të bllokuara!

Qarku i Shkodrës është përfshirë nga reshje të dendura dëbore duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Aksi Bogë-Qafë Thore është bllokuar dhe borëpastrueset po punojnë për hapjen e tij.

Policia njofton se aksi rrugor Kir-Mali i Shoshit është i kalueshëm me zinxhirë e po kështu Pukë – Fushë Arrëz. Fushë Arrëz-Iballë është i bllokuar dhe në Fushë Arrëz – Qafë Mali – Fierzë, lëvizja e mjeteve kryhet me zinxhirë.

Borëpastrueset po punojnë për pastrimin e të gjitha akseve rrugore. Shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në terren dhe apelojnë që drejtuesit e mjeteve të mos qarkullojnë pa goma dimërore, pa mjete antirrëshqitje, të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit pasi ka prezencë akulli dhe të mos bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH informon lidhur me situatën e rrugëve pas reshjeve të shiut dhe të dëborës në thuajse të gjithë territorin e vendit tonë.

Reshje shiu me intensitet mesatar kanë përshkuar vendin duke sjellë rënie gurësh e materialesh si në Skuraj-Burrel, të cilat janë pastruar menjëherë nga grupet e punës duke mos lejuar të krijohet vështirësi në qarkullim.

Sipas ARRSH-së, në zonën veriore ka pasur reshje dëbore me intensitet dhe erë si te Ura e Zapodit-Shishtavec, në Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë, Klos, Peshkopi, Bajram Curri-Fierzë, në Tropojë.

Në mëngjes, edhe në Qafë Thanë kanë filluar reshjet e dëborës me intensitet mesatar. Mjetet borëpastruese dhe punëtorët e mirëmbajtjes kanë qenë në terren pa ndërprerje. Rrugët janë të pastruara nga dëbora dhe qarkullimi vijon pa probleme.

Autoriteti Rrugor Shqiptar i bën apel drejtuesve të mjeteve që të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën, si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

Moti parashikohet me vranësira të dendura, shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme. Në periudha afatshkurtra, përgjatë Ultësirës Perëndimore janë me intensitet deri të lartë, shoqëruar me shkarkesa elektrike e breshër.

Në relievet malore në verilindje e juglindje ka reshje dëbore me intensitet të ulët e mesatar. Në periudha afatshkurtra, janë në formën e stuhive dhe shtrëngatave. Në momentin e reshjeve me intensitet, reduktohet shikimi. Temperaturat variojnë nga minus 2 në 17 gradë celcius.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49276 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE