Kryemenistri Rama: Drejtësi për 21 janarin!

vovalbania January 21, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Kryemenistri Rama: Drejtësi për 21 janarin!

13 vjet më parë, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u vranë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë një proteste të opozitës më 21 janar 2011. Kryeministri Edi Rama gjatë gjithë këtyre viteve ka kërkuar drejtësi për vrasjen e katër protestuesve të Partisë Socialiste, ndërsa sot ka reaguar me një postim të shkurtër në faqen e tij në Facebook.

“Drejtësi për 21 janarin”, shkruan Rama.

Në nëntor të vitit të kaluar Gjykata e Strasburgut ka gjetur dy shkelje në vrasjen e Aleks Nikës gjatë protestës opozitare kundër qeverisë Berisha para selisë së kryeministrisë.

Në vendimin e dhënë nga Gjykata për të Drejtat e Njeriut, thuhet se vrasja dhe mungesa e zbardhjes së vrasjes, janë dy shkelje të kryera nga shteti. Këto janë shkelje të dy aspekteve të së drejtës së jetës, thuhet në vendimin e Gjykatës së Strasburgut.

Gjykata ka gjetur mangësi në ligjin për përdorimin e armëve në operacionet e kontrollit të turmës. Sipas gjykatës, shteti dështoi të kontrollojë ngjarjen dhe përdori forcën vdekjeprurëse nga oficerët e Gardës Kombëtare që rezultoi në vdekjen e Nikës.

Gjykata e Strasburgut vë në dukje se Prokuroria e Përgjithshme është përballur me një detyrë jashtëzakonisht të vështirë. Fokusi duhet të jetë në përgatitjen e ndjekjeve penale kundër ata që dyshohen se kanë kryer krime. Duhet pranuar se disa nga aktet e kryera këtë ditë duhet të konsiderohen si krime, pavarësisht nga klima politike dhe pavarësisht se kush e nisi dhunën.

“Ligji i kohës dhe plani i masave të Gardës ishin me shkelje që nuk garantonin jetën. Pra, shteti ka përgjegjësi për vrasjen. Gjithashtu, moszbardhja e ngjarjes është shkelje. Nuk ka dëmshpërblim, sepse nuk ka dashur Mark Nika që e ndoqi vetë çështjen. Hetimi duhet të bëhet dhe dënohet fajtori, kushdo qoftë, si dhe duhet kontrolluar ligji i ri për armët, nëse i përmbush standardet”, thotë Gjykata e Strasburgut në vendimin e saj.

“Ekziston nevoja për hetime të plota, të paanshme dhe të besueshme për shkeljet e të drejtave të njeriut, të cilat ndodhën më 21 janar 2011”, thuhet më tej.

“Ata që janë përgjegjës për dhunën aktet dhe shkeljet e tjera të të drejtave të njeriut duhet të mbajnë përgjegjësi. Kjo është e nevojshme në për vendosjen e drejtësisë por edhe për të parandaluar zhvillime të tilla serioze në të ardhmen”, – vëren Gjykata.

Gjykata ka analizuar mungesën e ekspertizës së autoriteteve. “Zyra e Kryeministrisë nuk ofroi të gjitha video incizimet ose Prokuroria dështoi të sekuestrojë regjistrimet që do të ishin provë e vlefshme për hetimin”.

Fakti që një pjesë e madhe e video incizimeve u fshinë pas ngjarjes, ngre dyshime nëse fshirja e tyre mund të ketë qenë e qëllimshme dhe me qëllim fshehjen e së vërtetës.

Për pasojë, thotë Gjykata, “hetimi i kryer nuk mund të konsiderohet si një efektiv në identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve”.

Gjykata po ashtu vë në dukje se Garda Kombëtare dhe policia nuk po përballeshin me një organizim të paplanifikuar, pasi opozita kishte marrë leje disa ditë më parë për organizimin e tubimit.

Sipas Gjykatës, vendimet e saj janë deklarative dhe sugjerohet se autoritetet duhet të vazhdojnë punën për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Aleks Nikës dhe identifikimin e ndëshkimin e përgjegjësve.

Aleks Nika mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bashkë me 3 protestues të tjerë. Familjarët e Nikës dërguan padi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ndërkohë, dy vite më parë, Prokuroria e Tiranës rihapi hetimin për vrasjen e Aleks Nikës. Megjithatë, familjarët e Nikës janë të zhgënjyer nga drejtësia shqiptare, ndërsa janë shprehur se “Prokuroria po zvarrit dosjen, ndaj, ata iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut”.

I riu nga Lezha u plagos rëndë me plumb në kokë para selisë së Kryesisë së Kuvendit dhe gjeti vdekjen dy javë më pas në Turqi në një spital.

Familjarët akuzojnë Shqipërinë për një mungesë hetimi efektiv për zbardhjen e ngjarjes dhe për mohimin e aksesit të familjarëve në fazën hetimore të procesit.

Aleks Nika është një nga 4 protestuesit e vrarë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në vitin 2011 nga Garda e Republikës gjatë protestës së opozitës që drejtohej nga kryeministri aktual Edi Rama.

Për vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës, Gjykata e Apelit të Tiranës dënoi ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit burg dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite e pak muaj. Partia Socialiste akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha si urdhërues të vrasjeve të protestuesve.

Asokohe, Berisha e cilësoi “21 janarin” si një tentativë për grusht shteti, duke deklaruar se garda ka mbrojtur institucionin shtetëror dhe se ka zbatuar vetëm ligjin.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48802 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE