Plani i BE-së për rritje ekonomike, takim në Shkup i liderëve të Ballkanit!

vovalbania January 22, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Plani i BE-së për rritje ekonomike, takim në Shkup i liderëve të Ballkanit!

Liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe të tjerë zyrtarë të lartë, sot mblidhen në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Europian për rritjen ekonomike të rajonit. Eshtë fjala për konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski është mikpritës i kësaj konference ku Shqipëria përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama. Po ashtu, marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiç, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, si dhe priten përfaqësues nga Bosnje-Hercegovina.

Përveç tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfaqësohen prej ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien. Ndërkaq, në mesin e zyrtarëve të Bashkimit Europian do të jenë drejtori i Komisionit Europian për Fqinjësinë, Gert Jan Kopman, si dhe zyrtarë të tjerë.

Plani i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, si dhe kryerjen e investimeve, që mund të çojnë përpara procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro. Thuhet se pagesat do të ekzekutohen vetëm pas përmbushjes së reformave të diskutuara.

Rrugëtimi i Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian

Krocia ka qenë e para prej vendeve të rajonit që ka aplikuar për anëtarësim në BE, në vitin 2003 dhe e ka finalizuar procesin. Ndërkohë kanë aplikuar edhe vendet e tjera, përfshirë Kosovën, në vitin 2022.

Statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE kanë arritur ta marrin Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, si dhe Bosnjë-Hercegovina.

Nga këto vende, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllokun europian, pasi kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim. Ndërkaq, Kosova nuk e ka as statusin e vendit kandidat.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49619 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE