Takimi në Shkup, Rama: BE-ja të ishte më serioze për integrimin!

vovalbania January 22, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Takimi në Shkup, Rama: BE-ja të ishte më serioze për integrimin!

Në tryezën me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup të Maqedonisë së Veriut, sot kryeministri Edi Rama u shpreh kritik ndaj Bashkimit Europian që sipas tij duhej të ishte më serioz në integrimin rajonal.

Dua të nënvizoj një çështje. Paramendoni në çfarë pozicioni më të mirë do të ishim nëse Bashkimi Europian do të ishte më serioz në integrimin rajonal dhe do të ishte më serioz me çështjet e vërteta.

Po ashtu, shefi i qeverisë Rama e vuri theksin te roli i BE-së, si i vetmi institucion që në një tryezë mund të bëjë bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Të vendosim një rreth politik siç kishim mbrëmë. Të takohemi rregullisht, për shkak se edhe pse jemi shumë entuziastë, jemi ballkanas. Nëse nuk vini për të na ulur bashkë në një tryezë, mund t’i bëjmë punët pis. Koordinimi teknik është shumë i rëndësishëm.  Ministrat e Integrimit të gjashtë vendeve tona, të kenë mesazh të qartë nga liderët se duhet të harrojnë historinë. Duhet të harroni cila ngjyrë është flamuri i vendeve tona, flamuri më i rëndësishëm është i BE-së. Të ulemi e teknikisht të realizojmë detajet.

Liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe të tjerë zyrtarë të lartë janë mbledhur në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Europian për rritjen ekonomike të rajonit. Eshtë fjala për takimin “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”.

Para nisjes së tij, kryeministri Rama tha se ky është një hap i madh për të qenë pranë Unionit. Më tej u shpreh se KE-ja ka futur në axhendë përshpejtimin e integrimit të tregut të Ballkanit në tregun e BE-së.

Më duhet të them se ky është vërtet një takim shumë i rëndësishëm, sepse ne jemi këtu për të bashkuar mendimet tona me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe administratës amerikane për hapin e madh që ne mundemi e duhet të ndërmarrim, që është t’i afrohemi më shumë Bashkimit Europian. Bëhet fjalë për planin e rritjes dhe integrimin në tregun ndërkombëtar.

Plani i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, si dhe kryerjen e investimeve, që mund të çojnë përpara procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro. Thuhet se pagesat do të ekzekutohen vetëm pas përmbushjes së reformave të diskutuara.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48871 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE