Biden-Kongresit: Miratoni pa vonesë shitjen e avionëve F-16 për Turqinë!

vovalbania January 25, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Biden-Kongresit: Miratoni pa vonesë shitjen e avionëve F-16 për Turqinë!

Presidenti amerikan, Joe Biden u dërgoi një letër drejtuesve të komisioneve kryesore të Kongresit duke i informuar mbi synimin e tij për të filluar procesin zyrtar të njoftimit për shitjen Turqisë të avionëve F-16 të kompanisë Lockheed Martin, sapo Ankaraja të përfundojë procesin e pranimit të Suedisë në NATO.

Në letrën drejtuar anëtarëve më të lartë republikanë dhe demokratë të komisioneve të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, Biden iu kërkon të miratojnë shitjen “pa vonesë”.

Më herët, Shtëpia e Bardhë u dërgoi një letër anëtarëve të Kongresit duke kërkuar miratimin e shitjes prej 20 miliardë dollarësh të avionëve F-16 dhe pjesëve të këmbimit në Turqi.

Parlamenti i Turqisë ratifikoi kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO, duke hequr pas 20 muajsh vonesë një pengesë të madhe për zgjerimin e aleancës ushtarake perëndimore. Burimet thanë se letra u dërgua dje dhe se administrata Biden ende nuk e kishte njoftuar zyrtarisht Kongresin mbi planet për shitjen.

Vonesa e Turqisë lidhur me miratimin e ratifikimit ishte pengesë e madhe për të fituar miratimin e Kongresit për marrëveshjen e avionëve luftarakë. Ligjvënësit thanë se po prisnin miratimin e Turqisë për anëtarësimin e Suedisë në NATO, përfshirë nënshkrimin e presidentit turk Erdogan, përpara se të vendosnin nëse do ta miratonin shitjen.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Departamenti i Shtetit i kërkoi edhe Ankarasë të finalizojë zyrtarisht ratifikimin e NATO-s nga Suedia. Për ta bërë këtë, presidenti Erdogan duhet të nënshkruajë ligjin që më pas botohet në Gazetën Zyrtare të Turqisë. Instrumenti i anëtarësimit për Suedinë duhet të dërgohet gjithashtu në Uashington.

Departamenti i Shtetit refuzoi të jepte një afat kohor të saktë mbi procesin zyrtar të njoftimit për shitjen e avionëve F-16. Në tetor 2021, Turqia kërkoi të blinte avionë F-16 me vlerë 20 miliardë dollarë dhe gati 80 njësi me paisje për modernizimin e avionëve të saj ekzistues luftarakë.

Drejtuesit e komisioneve të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve shqyrtojnë çdo shitje të madhe të armëve për vende të tjera. Ata rregullisht bëjnë pyetje ose ngrejnë shqetësime mbi të drejtat e njeriut apo çështje diplomatike që mund të vonojnë apo ndalin marrëveshje të tilla.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për të hyrë në NATO pasi Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt 2022. Ndërsa anëtarësimi i Finlandës përfundoi vitin e kaluar, kërkesa e Suedisë ishte penguar nga Turqia dhe Hungaria.

Të gjitha vendet anëtare të NATO-s duhet të miratojnë aplikimet nga ato që kërkojnë t’i bashkohen aleancës. Kur Suedia dhe Finlanda kërkuan të anëtarësohen, Turqia ngriti kundërshtime mbi atë që tha se ishte mbrojtja nga këto dy vende për grupet që Ankaraja i konsideron terroriste.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49817 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE